Türkiye po përgatit një arkiv digjital të veprave muzikore shekullore, partiturave historike dhe regjistrimeve të performancave, i cili do të jetë i qasshëm falas për publikun në vitin 2027.
Projekti, i udhëhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Arteve të Bukura si dhe Ministrisë së Kulturës dhe të Turizmit, do të bashkojë partitura nga periudhat selxhuke dhe osmane, së bashku me himne fetare, gazela, regjistrime koncertesh dhe shfaqje skenike.
Arkivi synon t’u japë muzikantëve, studiuesve dhe publikut të gjerë qasje në trashëgiminë muzikore të Türkiyes përmes një platforme të vetme onlajn.
Drejtor i përgjithshëm i Arteve të Bukura, Omer Faruk Belviranli, tha se drejtoria mbikëqyr 29 orkestra, kore dhe ansamble muzikore, duke përfshirë gjashtë orkestra simfonike shtetërore dhe Korin Polifonik Shtetëror. Ansamble të tjera specializohen në muzikën tradicionale turke, muzikën popullore, vallet popullore dhe muzikën nga rajone të ndryshme.
Arkivimi i shfaqjeve
Një projekt i veçantë është gjithashtu në proces për t’i regjistruar në mënyrë digjitale prodhimet artistike nga ansamblet e drejtorisë.
“Veprat që prodhojmë duhet patjetër të regjistrohen. Nëse janë vizuale, duhet të ketë një regjistrim video; nëse janë audio, duhet patjetër të regjistrohen përmes kanalit YouTube”, tha Belviranli.
Ai tha se 15 nga 29 njësitë e drejtorisë kanë studio profesionale regjistrimi dhe se një arkiv ekzistues i performancave do të transferohet në një platformë onlajn.
“Aktualisht kemi një arkiv. E tëra çfarë mbetet është ta sjellim në jetë këtë arkiv dhe ta transferojmë atë në kanalin YouTube, ose në cilindo kanal ku do ta publikojmë, në përputhje me udhëzimet e ministrit tonë”, tha ai.
Arkivi digjital do të përfshijë gjithashtu notacione muzikore historike që pasqyrojnë shekuj të traditës muzikore turke.
“Muzika turke është një det”, tha Belviranli. “Ne kemi në zotërim, në formën e një arkivi, partitura shumë të veçanta të trashëguara nga tradita 700-800-vjeçare selxhuke dhe osmane deri në ditët e sotme, notacionin Hamparsum, partitura të shkruara në turqishten osmane dhe shumë të tjera”, tha ai.
Notacioni i Hamparsum është një sistem historik i zhvilluar gjatë periudhës osmane për ta regjistruar muzikën turke.
“Ne patjetër do t’i transferojmë të gjitha këto në arkiv dhe do t’ua bëjmë të disponueshme atyre që janë të interesuar», tha ai. «Do të krijojmë një det digjital në të cilin dëgjuesit tanë mund të hyjnë falas, ku të gjithë të interesuarit mund të shohin gjithçka me një klikim dhe të kenë akses në detajet e arkivit”, Belvinarli.
Belviranli tha se një numër i saktë veprash nuk mund të jepet ende, por arkivi do t’i mbulojë programet e 29 njësive të drejtorisë dhe përfundimisht do të përfshijë dhjetëra mijëra vepra.
Ai tha se regjistrimet do t’u lejonin njerëzve të studionin pjesë dhe performanca individuale, ndërsa theksoi se qasja digjitale nuk do ta zëvendësonte përvojën e pjesëmarrjes në një koncert të mbajtur drejtpërdrejt.
“Dashuruesit e muzikës do të jenë në gjendje t’i dëgjojnë koncertet në mënyrë digjitale përmes arkivit tonë, por të qenit në koncerte është si ta shikosh të njëjtën ndeshje. Ta shikosh në televizion dhe të shkosh në stadium për ta parë janë shumë të ndryshme”, tha ai. “Të jesh në gjendje ta ndiesh atë atmosferë, atë frymë, është shumë e rëndësishme”, theksoi Belviranli.
Drejtoria gjithashtu planifikon të vazhdojë të dërgojë ansamble muzikore jashtë vendit. Belviranli tha se kishte marrë kërkesa nga të paktën 42 vende për shfaqje që shënojnë 29 tetorin, Ditën e Republikës së Türkiyes.
Ai tha se audienca e huaj përbënte gati 80 për qind të spektatorëve në disa programe jashtë vendit, veçanërisht ato që përmbanin muzikë tradicionale, shfaqje dervishësh që rrotullohen, muzikë turke të botës dhe valle popullore.
“Ne po përpiqemi të jemi një urë që e çon të kaluarën drejt së ardhmes”, tha Belviranli.























