| Albanian
TÜRKİYE
5 minuta leximi
Ndihmëspresidenti turk: Financa me pjesëmarrje po bëhet gjithnjë e më e pranishme në nivel global
Türkiye ishte e 23-ta ndër 82 vende në Indeksin e Zhvillimit të Financave Islame në 2012-n, ndërsa deri në vitin 2025 u ngjit në vendin e 10-të ndër 140 shtete.
Ndihmëspresidenti turk: Financa me pjesëmarrje po bëhet gjithnjë e më e pranishme në nivel global
Nënkryetari turk Yilmaz: Financat participative po bëhen gjithnjë e më të pranishme në nivel global / TRT Balkan

Ndihmëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, deklaroi të enjten se financa me pjesëmarrje, falë strukturës së saj të bazuar në ndarjen e drejtë të riskut, mbështetjen e prodhimit dhe kontributin e drejtpërdrejtë në ekonominë reale, përfaqëson një qasje që i shikon aktivitetet ekonomike në kuadrin e dobisë shoqërore dhe drejtësisë.

“Financa me pjesëmarrje nuk është më një praktikë e kufizuar në rajone të caktuara, por një fushë që po rritet me shpejtësi në nivel global”, tha ai.

Duke folur në hapjen e Samitit të Financës me Pjesëmarrje, organizuar nga Agjencia Anadolli (AA) në Qendrën Financiare të Stambollit, Yılmazi tha se rregulloret e veçanta dhe infrastrukturat e tregut të zhvilluara në qendrat financiare kryesore, duke përfshirë vendet e Gjirit, Malajzinë e Indonezinë, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Luksemburgun, Hong-Kongun dhe Singaporin, mbështesin zgjerimin ndërkombëtar të ekosistemit të financës me pjesëmarrje.

Samiti përfshin panele mbi strategjitë e ardhshme të bankave dhe ekonomisë me pjesëmarrje të Türkiyes, produktet e investimit të bazuara në pjesëmarrje dhe rolin e digjitalizimit në të ardhmen e financës me pjesëmarrje.

Samiti u organizua falë bashkëpunimit midis AA-së dhe Shoqatës së Bankave me Pjesëmarrje të Türkiyes (TKBB), me kontributin e grupeve turke të huadhënies me pjesëmarrje “Vakıf Katılım”, “Kuveyt Türk”, “Ziraat Katılım”, “Emlak Katılım”, “Albaraka”, “Türkiye Finans”, “Düya Katılım”, “Hayat Finans”, “TOM Bank” dhe “Adil Katılım”.

“Për sa i përket madhësisë financiare, aktivet e financave islame, që në vitin 2018 ishin 2,5 trilionë dollarë, u rritën në 6 trilionë dollarë në 2024-n dhe pritet të arrijnë 9,7 trilionë dollarët deri më 2029-n”, tha Yılmazi.

Duke theksuar se Türkiye në 2012-n ishte e 23-ta ndër 82 vende në Indeksin e Zhvillimit të Financave Islame, ndërsa deri në 2025-n u ngjit në vendin e 10-të ndër 140 shtete, ndihmëspresidenti turk shtoi: “Me rreth 127 miliardë dollarë aktive të financave islame, vendi ynë zë vendin e 9-të në botë.”

Pasi theksoi se financa me pjesëmarrje përfshin shumë elementë brenda e jashtë sektorit bankar dhe ai vijoi me këto fjalë: “Emetimi i parë vendas i certifikatave të lizingut u lëshua në vitin 2012 dhe me këto emetime kemi vazhduar rregullisht.”

Kryetar i Bordit Ekzekutiv të TKBB-së, Mehmet Ali Akben, tha se sistemi bankar me pjesëmarrje në Türkiye drejtohet nga 11 huadhënës, të cilët deri në mars 2026 ofronin shërbime nëpërmjet gjithsej 1.506 degëve dhe 22.733 punonjësve.

“Aktivet totale të bankave me pjesëmarrje arritën 4,3 trilionë lirat (95 miliardë dollarë), ndërsa fitimi neto i bankave me pjesëmarrje deri në fund të 2025-s arriti 86 miliardë lirat (1,9 miliardë dollarë)”, theksoi ai.

“Ne po e mbështesin zgjerimin e sistemit bankar me pjesëmarrje përmes një baze financiare të fortë, një strukture bilanci të qëndrueshme të bankave me pjesëmarrje, qasjes së orientuar drejt klientit dhe investimeve në infrastrukturën digjitale”, saktësoi Akbeni.

Ai shtoi se vëmendje ka tërhequr sidomos zhvillimi i certifikatave të lizingut, të cilat përfaqësojnë një shembull të rëndësishëm të rritjes së diversitetit të instrumenteve në përputhje me parimet e financës me pjesëmarrje brenda ekosistemit financiar.

Krahas bankave publike dhe atyre me pjesëmarrje – theksoi Akbeni – edhe sektori privat ka marrë një rol të rëndësishëm si emetues në thellimin e ekosistemit të financës me pjesëmarrje. “Certifikatat e lizingut janë bërë një nga mjetet kryesore të menaxhimit të likuiditetit, veçanërisht për bankat me pjesëmarrje”, vijoi ai

Ndërsa drejtori i Zyrës së Investimeve të Türkiyes, Ahmet Burak Daglioglu, tha se sektori global i financës me pjesëmarrje vlerësohet në 4 trilionë dollarë, por kjo – për fat të keq – përbën vetëm rreth 1 për qind të sistemit financiar botëror.

“Do ta zhvillojmë sektorin e financës me pjesëmarrje në Türkiye, por besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar mund ta zgjerojmë më tej këtë sektor globalisht dhe të rrisim pjesën e tregut edhe në Türkiye”, tha ai.

Sekretar i përgjithshëm i Organizatës D-8 për Bashkëpunim Ekonomik, Sohail Mahmood, deklaroi se samiti përfshiu fjalime dhe deklarata shumë të çmuara.

“Natyrisht, ishte i pranishëm edhe ndihmëspresidenti, pastaj drejtori i AA-së dhe kryetari i Shoqatës së Bankave”, tha Mahmoodi në një prononcim për Agjencinë Anadolli, duke shtuar se “ata theksuan se si po rritet ky sektor në Türkiye”.

“Së fundmi janë publikuar të dhëna statistikore të reja dhe Türkiye është ngjitur në renditjen e ekonomive globale”, vijoi ai, duke vënë në pah se Türkiye, vend që është tashmë ekonomi e G20-s, luan një rol të rëndësishëm teksa sistemi bankar me pjesëmarrje po rritet me ritme të larta.

Ai theksoi se fokusi kryesor i samitit nuk ishte vetëm rritja brenda Türkiyes, por edhe shpalosja e rolit të saj në ekonominë globale dhe integrimi në narrativën globale aktuale.

“U theksua qartë se, përtej fakteve, shifrave dhe të dhënave, edhe narrativat janë shumë të rëndësishme”, tha ai dhe shtoi: “Mendoj që AA-ja meriton lavdërime për organizimin e këtij samiti.”

Alain Nounke, menaxher për Azinë Qendrore dhe Türkiyen pranë Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Bankës Botërore, u shpreh shumë i kënaqur lidhur me një pjesëmarrje kaq të gjerë në këtë organizim.

“Ne, nga Grupi i Bankës Botërore dhe veçanërisht Korporata Ndërkombëtare e Financave (IFC), e mbështesim rritjen e sistemit bankar me pjesëmarrje në Türkiye”, shtoi Nounke.

Ai tha se IFC-ja bashkëpunon me disa banka me pjesëmarrje, siç është “Albaraka”, nëpërmjet Programit Global të Financimit të Tregtisë dhe se dëshiron të zgjerojë aktivitetet e saj në këtë sektor, duke shprehur kënaqësi që sektori po ecën drejt një modernizimi më të madh.

Nounke theksoi se pjesëmarrja e lartë e zyrtarëve shtetërorë, duke përfshirë ndihmëspresidentin e Republikës së Türkiyes, tregoi se sa i rëndësishëm është financimi islam si prioritet kombëtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë