Si pasojë e motit të keq në shtetin verior indian Uttar Pradesh kanë humbur jetën të paktën 89 persona, thanë zyrtarët.
Viktimat u raportuan në disa distrikte për shkak të motit të rëndë, përfshirë erërat e forta, reshjet e dendura të shiut dhe rrufetë, në të gjithë shtetin të mërkurën, sipas zyrtarëve.
"Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, 89 persona humbën jetën ndërsa 53 të tjerë u plagosën", tha Komisariati i Ndihmës i shtetit përmes X.
Monitorimi i vazhdueshëm po kryhet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me zyrtarët e distrikteve për të siguruar që fondet e nevojshme të vihen në dispozicion të distrikteve, shtoi Komisariati.
Më herët, zyrtarët thanë se 15 persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në incidente të ndara për shkak të stuhive të forta në distriktin Bhadohi të mërkurën në mbrëmje, tha Shailesh Kumar, një zyrtar i lartë civil. Ai theksoi se pemët dhe shtyllat elektrike u rrëzuan për shkak të erërave të forta, gjë që çoi në viktima.
Nëntë persona të tjerë humbën jetën dhe 16 u plagosën kur një stuhi e fortë goditi distriktin Fatehpur.
"Ekipet e zyrtarëve administrativë po monitorojnë vazhdimisht zonat e prekura", tha sot policia në X.
Humbje jetësh u raportuan edhe në Budaun, ku pesë persona humbën jetën në incidente të lidhura me stuhinë, ndërsa një person humbi jetën në distriktin Sonbhadra, njoftoi "Press Trust of India".
Ndërkohë, reshjet e shiut goditën pjesë të kryeqytetit Nju Delhi, duke ndikuar edhe në trafikun ajror në aeroportin ndërkombëtar "Indira Gandhi".






















