| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Serbia dhe NATO-ja zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake pranë Bujanocit
Në stërvitjen e quajtur “NATO–Serbia” marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Türkiyes.
Serbia dhe NATO-ja zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake pranë Bujanocit
Serbia dhe NATO-ja zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake pranë Bujanocit / AA

Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake e Serbisë dhe NATO-s për këtë vit nisi këtë javë në bazën “Jug” dhe në poligonin “Borovac” pranë Bujanocit, ndërsa do të zgjasë deri më 23 maj, njoftoi të martën Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Në stërvitjen me emrin “NATO–Serbia” marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Türkiyes, ndërsa planifikues dhe vëzhgues ushtarakë janë të pranishëm nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Malin e Zi.

Stërvitja udhëhiqet nga koloneli Branisllav Stevanoviq, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Forcave Tokësore.

Bëhet fjalë për një stërvitje taktike që synon avancimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave mes pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë dhe forcave të armatosura të vendeve anëtare të NATO-s, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren ushtrohen taktika, teknika dhe procedura që përdoren në operacionet për mbështetjen e paqes, përfshirë sigurimin e bazave, punën në pikat e kontrollit, kontrollin e grumbullimeve masive dhe operacionet luftarake në mjedise urbane.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se stërvitja realizohet në bazë të vendimit të Qeverisë së Serbisë dhe në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe”, duke respektuar neutralitetin ushtarak të vendit.

Shtohet se bashkëpunimi mes Serbisë dhe NATO-s është i orientuar drejt ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, avancimit të kapaciteteve operative të forcave të armatosura, si dhe forcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Pjesëmarrja në stërvitje ndërkombëtare, siç theksohet, kontribuon në aftësimin e Ushtrisë së Serbisë për kryerjen e detyrave të ndryshme, përfshirë angazhimin në operacione paqeruajtëse, dhe konfirmon përcaktimin e vendit për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.