| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Lamallari në Kuvendin e Shqipërisë: Sfida kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve migratore
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku është mbajtur interpelancë me ministrin Lamallari, në lidhje me çështjet e emigracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore dhe kontrolleve kufitare në Shqipëri.
Lamallari në Kuvendin e Shqipërisë: Sfida kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve migratore
Lamallari në Kuvendin e Shqipërisë: Sfida kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve migratore

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka deklaruar se sot kufijtë e Shqipërisë monitorohen dhe mbrohen sipas standardeve më të avancuara evropiane, ndërsa ka theksuar sfida kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve migratore.

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ku është mbajtur interpelancë me ministrin Lamallari, në lidhje me çështjet e emigracionit ilegal, trafikut të qenieve njerëzore dhe kontrolleve kufitare në Shqipëri, kërkuar nga disa deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike.

Lamallari tha se Shqipëria sot përballet me nivele dukshëm më të ulëta të emigracionit të parregullt krahasuar me vitet e flukseve intensive.

"Në vitin 2024 janë evidentuar 1.540 emigrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2025 janë evidentuar 1.926. Po, kemi një rritje prej rreth 25 për qind, por kjo duhet parë në perspektivë. Në vitin 2022 u evidentuan mbi 8 mijë emigrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2023 mbi 6 mijë. Rritja e evidentuar gjatë vitit 2025 nuk duhet lexuar jashtë kontekstit të zhvillimeve rajonale dhe të dhënave afatgjata", tha ai.

Lamallari shtoi se një fenomen i ri i konstatuar nga fundi i vitit 2025 ka qenë hyrja e paligjshme e shtetasve nga Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka përmes kufirit me Malin e Zi, sipas tij, pasi më herët ishin pajisur me viza ose leje qëndrimi në Serbi.

Duke folur edhe për çështjet e azilkërkuesve, Lamallari tha se sfida kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve dhe goditja e rrjeteve kriminale që përpiqen të shfrytëzojnë lëvizjet migratore.

"Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka rënë nga 261 në vitin 2023 në vetëm 104 gjatë vitit 2024 ndërsa shumica e tyre vijnë nga Afganistani, Siria dhe Pakistani. Këta tregues, së bashku me intervistat e zhvilluara me migrantët e ndaluar, konfirmojnë se Shqipëria nuk perceptohet si destinacion përfundimtar, por kryesisht si një vend tranziti drejt vendeve të Bashkimit Evropian, si Gjermania, Austria, Suedia dhe Holanda", u shpreh ai.

Ministri Lamallari shtoi ndër të tjera se gjatë vitit 2025 janë finalizuar 14 operacione policore kombëtare kundër trafikimit të personave.

Duke theksuar se sot kufijtë e Shqipërisë monitorohen dhe mbrohen sipas standardeve më të avancuara evropiane, ai tha: "Vetë Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, Planin e Kontingjencës dhe bashkëpunimin e Shqipërisë në fushën e kthimit dhe ripranimit. Prandaj, alarmet për humbje kontrolli apo për kthimin e Shqipërisë në një hapësirë të pakontrolluar migratore nuk mbështeten në fakte".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë