| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
ShBA-ja ka lëshuar mbi 850 raketa Tomahawk ndaj Iranit, shtohen shqetësimet për rezervat
Raketat Tomahawk kanë qenë thelbësore për operacionet amerikane që nga Lufta e Gjirit, megjithatë prodhimi i kufizuar vjetor prej disa qindra njësi ka rritur shqetësimet për nivelin e rezervave, të cilat Pentagoni nuk i bën publike.
ShBA-ja ka lëshuar mbi 850 raketa Tomahawk ndaj Iranit, shtohen shqetësimet për rezervat
ShBA-ja ka lëshuar mbi 850 raketa Tomahawk ndaj Iranit, shtohen shqetësimet për rezervat / AA
9 orë më parë

Ushtria amerikane ka lëshuar më shumë se 850 raketa lundruese Tomahawk gjatë katër javëve të konfliktit me Iranin, duke pakësuar ndjeshëm rezervat e armëve të drejtuara me precizion dhe duke ngritur shqetësime tek disa zyrtarë të Pentagonit.

Siç raporton Washington Post, të lëshuara nga anije dhe nëndetëse, raketat Tomahawk kanë qenë thelbësore për operacionet amerikane që nga Lufta e Gjirit, megjithatë prodhimi i kufizuar vjetor prej disa qindra njësi ka rritur shqetësimet për nivelin e rezervave, të cilat Pentagoni nuk i bën publike.

Përdorimi intensiv i këtyre raketave, të njohura për rrezen prej mbi 1 mijë milje dhe aftësinë për të goditur pa rrezikuar pilotët, do të kërkojë diskutime urgjente nëse duhet të zhvendosen disa prej tyre nga rajone të tjera të botës, përfshirë Indo-Paqësorin, si dhe një përpjekje afatgjate për të rritur prodhimin.

Pentagoni po ndjek nga afër numrin e raketave Tomahawk të përdorura, me një nga zyrtarët që i tha gazetës se rezervat në Lindjen e Mesme janë “në nivele alarmante” dhe pa masa po i afrohen “Winchester”-it, term ushtarak që nënkupton mbarimin e municionit, gjë që mund të ndikojë në operacionet aktuale dhe të ardhshme.

Megjithatë, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtria amerikane “ka gjithçka që i nevojitet për të kryer çdo mision në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti dhe në çdo afat kohor”.

Ai kritikoi raportimet mediatike si “të njëanshme dhe të fiksuara për ta paraqitur ushtrinë më të fortë në botë si të dobët”, duke argumentuar se këto raportime sugjerojnë gabimisht se Departamenti i Mbrojtjes nuk u ka ofruar forcave amerikane “çdo avantazh për të qenë të suksesshme” dhe synojnë të “frikësojnë dhe të mbjellin dyshime tek populli amerikan”.

Shumë nga mbi 850 raketat Tomahawk u përdorën në fazën e hershme të operacionit në Iran, thanë burime për gazetën, me të paktën një sulm që goditi pranë një shkolle fillore në Minab të Iranit.

“ShBA-ja ka lëshuar gjithashtu mbi 1 mijë raketa interceptuese të mbrojtjes ajrore, përfshirë nga sistemet Patriot dhe THAAD, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane”, thanë burimet, duke shtuar se rezervat janë të kufizuara dhe nuk bëhen publike.

Mark Cancian nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se përdorimi i mbi 800 raketave Tomahawk në Iran mund të përfaqësojë rreth një të katërtën e rezervës totale, duke krijuar boshllëqe të mundshme për konflikte në Paqësorin Perëndimor. Instituti i tij vlerëson se marina amerikane kishte rreth 3.100 raketa Tomahawk në fillim të luftës.

Sipas një vlerësimi nga CSIS-ja, marina ka blerë pothuajse 9.000 raketa Tomahawk gjatë historisë së programit, megjithëse shumë prej tyre janë të vjetruara dhe tashmë jashtë përdorimit.