Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka pritur në Shkup Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut në këtë nivel.
Sipas një njoftimi nga Mucunski në median sociale, gjatë takimit është diskutuar rruga evropiane e vendit, proceset e reformave dhe mbështetja e Këshillit të Evropës në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Të dyja palët kanë riafirmuar përkushtimin ndaj parimeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në takim janë shkëmbyer edhe mendime për zhvillimet aktuale gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe kryesimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.






















