Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaruan në një njoftim të së shtunës se Ngushtica e Hormuzit është kthyer në “gjendjen e mëparshme” nën kontrollin e “forcave të armatosura”, duke iu referuar bllokadës së vazhdueshme amerikane ndaj porteve iraniane.
“Kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo rrugë ujore strategjike është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë të forcave të armatosura,” thuhet në deklaratën e komandës së përbashkët të IRGC-së, sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim.
Derisa ShBA-ja “ta rikthejë lirinë e plotë të lëvizjes për anijet që udhëtojnë drejt dhe nga Irani, situata në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet nën kontroll të rreptë dhe të pandryshuar,” thuhet më tej.
Deklarata e IRGC-së erdhi pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, të premten e shpalli ngushticën “plotësisht të hapur” për të gjitha anijet tregtare.
Vendimi u mor “në përputhje me armëpushimin në Liban,” tha ai në platformën sociale amerikane X.
Më 28 shkurt, ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera të rajonit që strehojnë asete amerikane.
Lufta është pezulluar që nga 8 prilli, kur Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor.
Uashingtoni dhe Teherani zhvilluan bisedime në Pakistan fundjavën e kaluar për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, ndërsa përpjekjet për një raund tjetër në Islamabad janë në vazhdim.



























