Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Türkiye dhe njëherësh i dërguari special për Sirinë, Tom Barrack, e përshkroi Sirinë si “një nga eksperimentet më të mëdha në diplomacinë e re” në kohët e fundit.
“Një lëvizje kuantike që askush nuk e kishte parashikuar apo pritur, ku ka bashkëpunim nga rajoni, nga Amerika, nga aleatët dhe nga një kulturë që është në kërkim të vetvetes”, tha Barracku për Sirinë, gjatë një deklarate për gazetarët në margjinat e Forumit të Diplomacisë së Antalies (ADF).
Shefi i misionit diplomatik amerikan në Ankara theksoi se të gjithë në Lindjen e Mesme “po kërkojnë të njëjtën gjë: tolerancë, respekt, përulësi dhe mirëkuptim”.
“Ajo fillon nga familja, pastaj komuniteti, më pas fisi, në vijim feja dhe në fund nga kombi”, tha ai, duke shtuar se Siria është një shembull i shkëlqyer: “Si laborator për ne, për të eksperimentuar nëse dialogu dhe bashkëpunimi mund të funksionojnë dhe deri më tani po funksionon shumë mirë.”
Barracku tha se Forumi po zhvillohet në një kohë të rritjes së pasigurive globale dhe sfidave komplekse. Ai e përshkroi diplomacinë si një mjet jetik në mes të krizave në vazhdim, duke thënë se diplomatët punojnë për të ndërtuar dialog që mund të parandalojë konfliktet.
“Këta diplomatë, nga të cilët unë mësoj çdo ditë, janë aty për të krijuar dialog, biseda dhe fjali që parandalojnë plumbat, raketat dhe armët”, u shpreh Barracku.
“Pra, mendoj se këto janë dy ditë jashtëzakonisht të rëndësishme”, shtoi ai.
Ambasadori Barrack tha se ishte “i entuziazmuar dhe i lumtur që ndodhej këtu për të dëgjuar, mësuar dhe ndihmuar sadopak” që mundet, duke vënë në dukje mjedisin global të paqartë dhe kompleks.






















