Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të Kosovës, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Anëtarët e KGjK-së e kanë marrë këtë vendim me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Gjatë diskutimit, anëtarët e KGjK-së kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mundësinë e rikthimit të tyre në sistemin gjyqësor.
Tani, emrat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr në vitin 2022 do t'i dorëzohen ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.
Haxhiu e ka përshëndetur propozimin e KGjK-së për largimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022.
Ajo ka thënë se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, do të ndërmarrë veprime për lirimin e tyre nga detyra.
“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarr veprime për lirimin e tyre nga detyra”, ka thënë Haxhiu.
Përfaqësuesit e komunitetit serb u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.
Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Në mes të qershorit 2026, çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi Haxhiu kërkoi nga KGjK-ja dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.






















