Kremlini tha të mërkurën se vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë një ditë më parë përfshiu kontakte mes shërbimeve të sigurisë.
“Mund t’ju them vetëm se pati kontakte përmes shërbimeve speciale”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar vizitën e paparalajmëruar të Ratcliffe në kryeqytetin rus një ditë më parë.
Sipas Flightradar24, një avion C-17A Globemaster III i Forcave Ajrore të ShBA-së fluturoi të martën nga kryeqyteti i Letonisë, Riga, drejt aeroportit Vnukovo të Moskës, pasi kishte mbërritur dy ditë më parë nga Camp Springs në ShBA, pranë Bazës së Përbashkët Andrews në Maryland, ku shpesh qëndrojnë avionët e Shtëpisë së Bardhë.
Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni u largua nga Moska dhe u kthye në Riga më vonë atë mbrëmje.
I pyetur për raportimet se një avion ushtarak amerikan kishte ateruar të martën në mëngjes në Moskë, Peskov tha se “nuk kishte një informacion të tillë”.
Më vonë, CBS News raportoi, duke cituar burime të njohura me situatën, se drejtori i CIA-s ndodhej në kryeqytetin rus për takime.
Ndërkohë, Axios raportoi, duke cituar një burim, se Washingtoni e kishte njoftuar Kievin se një delegacion i nivelit të lartë do të vizitonte Moskën dhe i kishte kërkuar Ukrainës t'i pezullonte sulmet derisa delegacioni të largohej nga vendi.
As autoritetet amerikane dhe as CIA nuk kanë komentuar për vizitën.
Në komentet e mëtejshme për vizitën e Ratcliffe, Peskov tha se shefi i CIA-s dhe presidenti rus Vlladimir Putin nuk u takuan, ndërsa nuk pranoi të jepte detaje mbi temat e diskutuara mes shërbimeve të sigurisë.
Ai tha gjithashtu se aktualisht nuk janë planifikuar kontakte në nivel presidencial mes Moskës dhe Washingtonit, duke shtuar se është ende herët të flitet për ndikimin e vizitës në zgjidhjen e “krizës së thellë” në marrëdhëniet Rusi-ShBA.
Megjithatë, ai vuri në dukje se kontakte të tilla janë një “dukuri pozitive, një proces pozitiv”.
Vizita e drejtorit të CIA-s shënon vizitën e parë të këtij lloji që nga udhëtimi i atëhershëm i drejtorit të CIA-s, William Burns, në Moskë në vitin 2021.






















