| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: Zgjedhjet e reja do t’i kushtonin shtetit dhjetëra milionë euro
Kryeministri i Kosovës thotë se mungon vullneti për marrëveshje nga partitë opozitare, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit është 28 prilli.
Kurti: Zgjedhjet e reja do t’i kushtonin shtetit dhjetëra milionë euro
Kurti: Zgjedhjet e reja do t’i kushtonin shtetit dhjetëra milionë euro / Reuters

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi do të përballet me kosto të larta financiare nëse shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas tij, vetëm organizimi i zgjedhjeve do të kushtonte të paktën 10 milionë euro, ndërsa në total humbjet për shtetin mund të arrijnë në dhjetëra milionë euro.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje për shkak të mos funksionimit të Kuvendit do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje. Nuk e di se si mund t'i kemi 80 deputet”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Kurti theksoi se aktualisht nuk sheh gatishmëri për marrëveshje politike nga partitë opozitare, përkatësisht LDK-ja dhe PDK-ja. Ai bëri të ditur se është takuar me përfaqësues të LDK-së, ndërsa PDK-ja ka refuzuar një takim të tillë. “Nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu përmendi se është ngritur si çështje fakti që Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet t’i mbajë tri pozita kryesore në shtet.

Ndërkohë, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi i Kosovës është deri më 28 prill.

Mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundoi më 5 prill. Aktualisht, detyrën e ushtrueses së presidentes po e mban Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë