Ministria e Jashtme e Rumanisë thirri të hënën ambasadorin rus në Bukuresht pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore nga dronët dhe shpalli “persona non grata” një punonjës të ambasadës.
“Me udhëzim të ministrit të Punëve të Jashtme, ambasadori i Federatës Ruse në Bukuresht u thirr sot në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, njoftoi ministria në platformën X me seli në ShBA.
Ministria tha se ambasadori u thirr si një “përgjigje e vendosur” ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Rumanisë gjatë tri ditëve të fundit, nga 24 deri më 26 korrik, periudhë gjatë së cilës forcat e armatosura të vendit rrëzuan tre dronë.
“Diplomatit rus iu paraqitën fragmente të një droni të shkatërruar në territorin rumun, për të cilat hetimet zyrtare të prokurorisë kanë konfirmuar se janë me origjinë ruse”, tha ministria.
Ministria i cilësoi veprimet si “të paligjshme dhe të papërgjegjshme”, duke shtuar se pala rumune theksoi gjatë takimit se “është absolutisht e papranueshme dhe e patolerueshme që Federata Ruse të vazhdojë të shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë”.
Autoriteti tha se pala rumune gjithashtu vuri në dukje përgjegjësinë e Rusisë për incidentet dhe “për përkeqësimin e mjedisit të sigurisë rajonale”.
“Gjatë takimit, ambasadorit rus iu dorëzua një notë verbale zyrtare, përmes së cilës u njoftua vendimi për shpalljen të padëshirueshëm të një anëtari të misionit të Federatës Ruse në Bukuresht, duke i kërkuar të largohet nga territori rumun brenda pesë ditësh”, tha ministria.
Ministria gjithashtu thirri në Bukuresht për konsultime ambasadorin e Rumanisë në Rusi.
“Rumania do të vazhdojë ta koordinojë ngushtë përgjigjen e saj me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe të BE-së, duke mbetur fuqimisht e përkushtuar për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe të qytetarëve të saj”, shtoi ajo.




















