Presidenti i Türkiye, Recep Tayyip Erdoğan, tha të mërkurën se mbështetja për Palestinën është përgjegjësi e përbashkët e gjithë njerëzimit, veçanërisht e botës myslimane.
“Dua të theksoj edhe një herë se mbështetja për Palestinën është përgjegjësi e përbashkët e gjithë njerëzimit, veçanërisht e botës myslimane”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në pallatin presidencial në Ankara.
“Ne, si Türkiye, do të vazhdojmë ta mbrojmë fuqishëm çështjen palestineze në çdo platformë”, shtoi ai.
Erdoğan tha gjithashtu se “qeveria gjenocidale e Netanyahut” vazhdon veprimet e saj të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor të pushtuar “para syve të gjithë botës”.
“Ekzistenca e një shteti sovran palestinez po minohet. Është e pamundur ta injorojmë këtë apo të qëndrojmë indiferentë”, tha ai.
Erdoğan bëri thirrje që sa më shpejt të krijohen kushtet e nevojshme për nisjen e procesit të rindërtimit dhe rimëkëmbjes në Gaza dhe garantimin e sigurisë në enklavë.
“Ne kundërshtojmë veçanërisht fuqishëm provokimet që synojnë ndryshimin e status quo-së në Xhaminë Al-Aksa, kiblën tonë të parë, dhe në vendet e tjera të shenjta”, tha Erdoğan.
Duke përsëritur mbështetjen e Ankarasë për shtetësinë palestineze, Erdoğan tha se Türkiye do të punojë me vendosmëri për krijimin e një shteti të pavarur dhe gjeografikisht të vazhdueshëm palestinez, të bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor të pushtuar si kryeqytet.



























