Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha sot se Rusia nuk e respektoi armëpushimin energjetik të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke bërë thirrje për rritjen e presionit ndaj Moskës.
“Natyrisht, ne e mbështetëm armëpushimin energjetik të presidentit Trump, por pamë se Rusia nuk e respektoi atë, as edhe për një minutë. Përkundrazi, Rusia i përshkallëzoi veprimet dhe për këtë arsye duhet ta rrisim presionin ndaj Rusisë”, u tha Von der Leyen gazetarëve përpara ditës së dytë të Samitit të BE-së në Bruksel.
Të dielën, Trumpi tha se Rusia dhe Ukraina ranë dakord për armëpushim të menjëhershëm lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës. Von der Leyen tha se BE-ja po punon për paketën e saj të 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke shtuar se blloku “nuk do të heqë asnjë sanksion për sa kohë që Moska nuk i jep fund luftës”.
Ajo theksoi se liderët e BE-së do të diskutojnë përgatitjet e Ukrainës për dimër si dhe nevojat financiare, buxhetore dhe ushtarake të vendit për vitet 2026 dhe 2027.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa rikonfirmoi angazhimin e BE-së ndaj Ukrainës, duke thënë se mbështetja e bllokut mbetet “po aq e fortë sa kurrë më parë”. “Ky nuk është momenti për t’ia tërhequr mbështetjen Ukrainës. Ky nuk është momenti për t’i lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë. Tani është koha për ta rritur mbështetjen tonë dhe për ta shtuar presionin”, tha Costa.
“Kjo është thelbësore për ta detyruar Rusinë të pranojë armëpushim të vërtetë, për ta sjellë atë në tryezën e negociatave dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte”, shtoi ai.




















