Ministri irakian i Naftës, Hayyan Abdul Ghani, ka njoftuar zbulimin e një rezerve të re nafte pranë kufirit të vendit me Arabinë Saudite, me rezerva të vlerësuara rreth 9 miliardë fuçi.
Njoftimi erdhi gjatë takimit të tij dje me një delegacion nga kompania kineze "ZhenHua Oil", e cila zbuloi bllokun e ri në zonën Qurnain në jugperëndim të Irakut, si pjesë e një raundi të mëparshëm licencimi.
Ministria e Naftës e Irakut njoftoi se Ghani diskutoi gjatë takimit punimet zhvillimore në bllokun eksplorues Qurnain dhe në fushën naftëmbajtëse Bagdadi Juglindor.
Ministri theksoi rëndësinë e përshpejtimit të zbatimit të projektit për të ruajtur prodhimin e naftës bruto dhe për të investuar në burimet e gazit shoqërues.
Blloku Qurnain, i vendosur në provincën Najaf përgjatë kufirit Irak-Arabi Saudite, konsiderohet një nga zonat premtuese të eksplorimit në Irak dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 8.773 kilometrash katrorë.
Iraku është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë, sipas shifrave zyrtare, me rezerva të provuara të vlerësuara në rreth 145 miliardë fuçi.




















