| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Pas 98 seancave dëgjimore, përfundon procesi i dëshmive në rastin për korrupsion ndaj Netanyahut
Netanyahu përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tri raste të mëdha korrupsioni të njohura si rastet 1000, 2000 dhe 4000.
Pas 98 seancave dëgjimore, përfundon procesi i dëshmive në rastin për korrupsion ndaj Netanyahut
Pas 98 seancave dëgjimore, përfundon procesi i dëshmive në rastin për korrupsion ndaj Netanyahut/ Reuters

Dëshmia në gjyqin për korrupsion ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përfundoi sot pas 98 seancash dëgjimore të zhvilluara gjatë një viti e gjysmë, ndërsa ai e përshkroi procesin si “dhjetë vjet ferr”.

Akuzat për korrupsion ndaj Netanyahut dolën publikisht për herë të parë në vitin 2016 ndërsa ish-prokurori i përgjithshëm Avichai Mandelblit ngriti aktakuzat zyrtare në nëntor të vitit 2019. Netanyahu përballet me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tri raste të mëdha korrupsioni të njohura si rastet 1000, 2000 dhe 4000.

Rasti 1000 lidhet me pretendimet se Netanyahu dhe anëtarë të familjes së tij kanë marrë dhurata me vlerë nga biznesmenë të pasur në këmbim të favoreve. Rasti 2000 përfshin akuza se Netanyahu ka negociuar me Arnon Mozes, botues i gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, për të siguruar mbulim mediatik të favorshëm në këmbim të përfitimeve qeveritare.

Rasti 4000 pretendon se Netanyahu i ka dhënë avantazhe rregullatore biznesmenit Shaul Elovitch, ish-pronar i portalit të lajmeve Walla dhe kompanisë së telekomunikacionit Bezeq, në këmbim të raportimit pozitiv për të dhe familjen e tij. Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, Netanyahu e përfundoi dëshminë pas 98 seancash të mbajtura gjatë rreth 18 muajve.

“Pas dhjetë viteve ferr, ndërsa përpiqem ta udhëheq këtë vend përballë ndoshta sfidave më të mëdha që kemi aktualisht, të shoh këtë gjë të ulët, të rreme dhe keqdashëse, që synon jo vetëm t'i dëmtojë të drejtat individuale, por edhe të drejtën e publikut për të më zgjedhur mua si lider”, ka thënë Netanyahu para gjykatësve, sipas gazetës “Yedioth Ahronoth”.

Ai ka shtuar se procedurat përbëjnë “gjueti njerëzish në mënyrë të hapur dhe të shtrembëruar”, duke i bërë thirrje gjykatës që “të arrijë të vërtetën dhe drejtësinë”. Gazeta raportoi se dëshmia e Netanyahut përfundoi në sallën e fortifikuar të Gjykatës së Qarkut në Tel-Aviv, ku shumë seanca u shkurtuan, u shtynë ose u anuluan gjatë procesit.

Tani gjykata do të kalojë në fazën e argumenteve përfundimtare, ku palëve do t’u jepen disa muaj për të dorëzuar përmbledhjet ligjore para hartimit të vendimit. Më 16 qershor, prokurorët përfunduan marrjen në pyetje të Netanyahut pas gati një viti. Më pas u mbajtën edhe katër seanca shtesë si pjesë e procedurës plotësuese.

Krahas procesit të brendshëm për korrupsion, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest ndaj Netanyahut që nga viti 2024 nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gaza.