Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, deklaroi se vendi ka hyrë në një fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku fokusi kryesor është goditja e ekonomisë kriminale dhe kthimi i pasurive të konfiskuara në dobi të qytetarëve.
Në fjalën e mbajtur në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, Lamallari theksoi se lufta ndaj krimit nuk mjafton vetëm me arrestime dhe dënime, por kërkon edhe heqjen e fuqisë financiare të organizatave kriminale.
Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Duke u ndalur tek sfidat e reja të krimit financiar, Lamallari theksoi se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format moderne të pastrimit të parave kërkojnë përgjigje të reja dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.
Ai vlerësoi partneritetin me Bashkimin Europian, Europol-in, Eurojust-in dhe vendet partnere, duke theksuar se Shqipëria mbetet e vendosur për të forcuar shtetin e së drejtës dhe standardet europiane në luftën kundër krimit të organizuar.
“Nje shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, përfundoi Lamallari.























