| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha: Sulmi rus që goditi kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev është i papranueshëm
“Ambasadori i Rusisë në Shqipëri është thirrur në ministrinë e Jashtme për të dhënë shpjegime”, shkroi kryediplomati shqiptar.
Hoxha: Sulmi rus që goditi kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev është i papranueshëm
Hoxha: Sulmi rus që goditi kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev është i papranueshëm / AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi pas sulmit të fundit rus ndaj Ukrainës, gjatë të cilit u godit edhe kompleksi rezidencial në Kiev ku banon ambasadori i Shqipërisë.

Në një reagim në X, Hoxha dënoi sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe tha se goditja e kompleksit ku jeton ambasadori shqiptar e vuri atë në rrezik serioz.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave civile në Ukrainë. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme”, shkroi Hoxha.

Ai theksoi se sulmet ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë një përshkallëzim të rëndë të konfliktit dhe një dëshmi tjetër të kostos njerëzore të luftës.

Sipas ministrit, Rusia ka vijuar prej vitesh të godasë infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe zonat e banuara në Ukrainë, pa arritur të thyejë qëndresën e popullit ukrainas.

Hoxha i bëri thirrje Moskës që të ndalojë menjëherë sulmet, t’i japë fund luftës dhe t’i rikthehet procesit të negociatave në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke kërkuar gjithashtu që përgjegjësit për sulmet të mbahen përgjegjës.

Ministri njoftoi se ambasadori i Rusisë në Shqipëri është thirrur në Ministrinë e Jashtme për të dhënë shpjegime.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë