Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor përtej qershorit të vitit 2026, thuhet në njoftimin e fundit të Shtëpisë së Bardhë.
Në njoftim thuhet se "Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe veprimtarinë penguese, si dhe situata në Ballkanin Perëndimor, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara".
"Për këtë arsye... emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor duhet të vazhdojë përtej qershorit 2026", thuhet në njoftim.
Urdhri ekzekutiv për gjendjen në Ballkanin Perëndimor u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti George W. Bush, pas luftërave në këtë rajon.
Më pas, në vitin 2021, ShBA-ja zgjeroi fushëveprimin e kësaj emergjence kombëtare, duke argumentuar se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura pas luftës.
Në një raport të muajit maj, Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) e cilësoi Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.
Nga ana tjetër, NATO-ja njoftoi më 12 qershor se gjatë vitit të ardhshëm do të ndërmarrë një përshtatje graduale të pranisë së saj në Kosovë, duke pasqyruar vlerësimin e një situate të stabilizuar të sigurisë në vend.






















