Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka njoftuar se do ta konsiderojë të përfunduar shpërthimin e hantavirusit të lidhur me një anije turistike nëse deri më 2 korrik nuk raportohen raste të tjera, pasi grupi i fundit i kontakteve të monitoruara po i afrohet fundit të periudhës së karantinës.
Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se numri i përgjithshëm i rasteve mbetet i pandryshuar në 13, përfshirë tri vdekje.
“Në total, më shumë se 650 kontakte janë identifikuar dhe janë ndjekur nga autoritetet lokale shëndetësore në 33 vende dhe territore”, tha Tedros.
Ai shtoi se të gjithë, përveç 54 kontakteve, kanë përfunduar periudhën e karantinës, ndërsa personat e mbetur pritet të përfundojnë izolimin deri më 2 korrik.
“Nëse deri atëherë nuk raportohen raste të tjera, OBSh-ja do ta konsiderojë shpërthimin të përfunduar”, tha Tedros.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve inkurajuese, ai theksoi se hetimet lidhur me shpërthimin do të vazhdojnë.
OBSh-ja po punon me qeveritë dhe partnerët për të përcaktuar se si shpërthimi filloi dhe si u përhap mes personave në bordin e anijes MV Hondius.
Tedros tha se mostrat mjedisore të mbledhura në bord po analizohen si pjesë e hetimit.
Agjencia shëndetësore e OKB-së po koordinon gjithashtu një studim që përfshin 21 vende për të kuptuar më mirë mënyrën se si zhvillohet sëmundja te personat e ekspozuar ndaj virusit.
Po ashtu OBSh-ja po kërkon që një mostër e virusit të ndahet me objektin e saj BioHub në Zvicër, një hap që, sipas shefit të OBSh-së, do të mbështesë zhvillimin e diagnostikimeve, terapive dhe vaksinave të ardhshme.
Ai falënderoi vendet e përfshira në përpjekjet e reagimit dhe i shprehu mirënjohje të veçantë Spanjës për rolin udhëheqës gjatë shpërthimit.
Tedros falënderoi gjithashtu kapitenin e anijet MV Hondius, Jan Dobrogowski, ekuipazhin e anijes dhe pasagjerët për bashkëpunimin e tyre gjatë asaj që ai e përshkroi si një “situatë të vështirë”.





















