| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së duhet të bazohet në merita
"Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Do të jemi të përgjegjshëm dhe proaktivë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet, por zgjidhja nuk varet kurrë vetëm nga pala jonë", tha kryediplomati i Maqedonisë së Veriut.
Mucunski: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së duhet të bazohet në merita
Mucunski: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së duhet të bazohet në merita/ AA

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe anëtarësimi i saj i plotë duhet të bazohen në merita dhe jo të rëndohen nga historia dhe e kaluara, tha sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pas takimit ministror për Korridorin 8 në Sofje.

Duke folur në konferencë për media së bashku me homologen bullgare Velisllava Petrova-Çamova, me të cilën do të zhvillojë takim, dhe Komisaren Evropiane për Zgjerimin Marta Kos, Mucunski theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe se, bazuar në përvojën dhe rezultatet e deritanishme, është dëshmuar si kandidate e mirë për anëtarësim.

Ai tha se vendi pret që arritjet dhe rezultatet e deritanishme të jenë bazë për vlerësimin e tij kur BE-ja të jetë e gatshme të marrë vendim për anëtarësimin.

"Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Do të jemi të përgjegjshëm dhe proaktivë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet, por zgjidhja nuk varet kurrë vetëm nga pala jonë", tha Mucunski.

Ai deklaroi se, në marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe shtetet anëtare të BE-së, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të udhëhiqet nga vullneti i mirë dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare publike.

Petrova-Çamova tha se ka përparim te vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian dhe shprehu shpresën se kjo do të vlejë edhe për Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi se bashkëpunimi sektorial është i rëndësishëm, por për përparim nevojitet edhe vullnet i vazhdueshëm politik.

"Për ndërtimin e besimit, mendoj se qasja më e mirë është përmbushja e detyrimeve të marra", tha ajo.

Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e theksoi rëndësinë e ndërtimit të besimit dhe bashkëpunimit në fushat ku është e mundur. Ajo tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë ndër themelet e BE-së.

Duke folur për Korridorin 8, Kos e cilësoi atë si "shembull të projektit evropian dhe të lidhjes së vendeve", duke theksuar se rrjeti i ndërlidhjes mund të zgjerohet edhe drejt Rumanisë, Greqisë, Italisë dhe Kosovës.

"Mjaft vende kanë histori të përbashkët. Është mirë ta pranojmë këtë, por edhe të shikojmë drejt së ardhmes dhe asaj që mund të arrijmë së bashku", tha Kos.