Eksportet e Türkiyes në vendet e Ballkanit arritën në afro 19 miliardë dollarë në periudhën janar-shtator të këtij viti, ndërsa vendi me eksportet më të larta ishte Rumania me rreth 5,5 miliardë dollarë.
Sipas të dhënave të përpiluara nga një gazetar i AA-së nga Këshilli i Eksportuesve Turq (TIM), eksportet e Türkiyes u rritën me 5.2 për qind në periudhën janar-shtator të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur nga 200,5 miliardë dollarë në 210,9 miliardë dollarë.
Eksportet në vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë dhe Greqinë, arritën në total 18.877.281.000 dollarë në periudhën janar-shtator. Kështu, eksportet e Türkiyes në vendet e Ballkanit u rritën me afërsisht 121.181.000 dollarë gjatë kësaj periudhe.
Midis janarit dhe shtatorit, vëllimi më i lartë i eksporteve midis vendeve të Ballkanit u regjistrua me Rumaninë, me një total prej 5.491.032.000 dollarësh.
Rumania u pasua nga Bullgaria me 3.913.291.000 dollarë, Greqia me 2.573.771.000 dollarë, Sllovenia me 2.156.498.000 dollarë dhe Serbia me 1.551.645.000 dollarë.
Industria e automobilave u dallua midis sektorëve në eksportet drejt vendeve të Ballkanit
Midis janarit dhe shtatorit, eksportet u rritën në tetë vende të Ballkanit, ndërsa u ulën në tre. Gjatë kësaj periudhe, eksportet drejt Bosnjë e Hercegovinës u rritën me 19,9 për qind, drejt Bullgarisë me 16 për qind ndërsa eksportet drejt Sllovenisë u ulën me 13,1 për qind dhe drejt Rumanisë me 5,5 për qind.
Në të njëjtën periudhë, industria e automobilave ishte sektori kryesor në eksportet drejt vendeve të Ballkanit. Eksportet e sektorit në rajon ranë me 6,2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rënë nga 3,7137 miliardë dollarë në 3,4853 miliardë dollarë.
Industria e automobilave u pasua nga kimikatet dhe produktet kimike me 2,8341 miliardë dollarë dhe çeliku me 2,7638 miliardë dollarë.
Istanbuli u rendit i pari në eksportet drejt vendeve të Ballkanit
Në periudhën janar-shtator, Istanbuli, Kocaeli, Ankaraja, Bursa dhe Izmiri spikatën në eksportet e Türkiyes drejt vendeve të Ballkanit. Eksportet totale të këtyre 5 qyteteve në rajon arritën në 14,337 miliardë dollarë.
Në nëntë muajt e parë të vitit, eksportet më të larta drejt vendeve të Ballkanit u shënuan nga Istanbulii, duke arritur në total 6,976 miliardë dollarë.
Pas Istanbulit vijnë Kocaeli me 3 miliardë e 552 milionë e 180 mijë dollarë, Ankaraja me 1 miliard e 594 milionë e 275 mijë dollarë, Bursa me 1 miliard e 391 milionë e 536 mijë dollarë dhe Izmiri me 822 milionë e 994 mijë dollarë.























