Një skulpturë satirike që paraqet presidentin amerikan Donald Trump në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës ka shkaktuar polemika mes politikanëve evropianë, ndërsa kritikët kanë kërkuar largimin e saj.
Instalacioni, i titulluar “Murtaja e Portokalltë”, u prezantua të martën nga artisti danez Jens Galschiot brenda godinës së Parlamentit.
Skulptura 2,6 metra e lartë paraqet Trumpin të zhveshur, të mbuluar me fletë ari, ulur mbi shpatullat e një burri të dobët, ndërsa mban një shkop golfi dhe peshoren e drejtësisë.
Në pllakën shoqëruese të veprës shkruhet: “Jam ulur mbi shpinën e një burri. Ai po fundoset nën barrën time; do të bëj gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbres nga shpina e tij”.
Kryeministri sllovak Robert Fico të enjten kërkoi heqjen e skulpturës, duke e cilësuar atë si “shenjë të rënies së gjithë Bashkimit Evropian”.
“Nuk jam dakord me të gjitha politikat e presidentit amerikan, as që bëhet fjalë. Por në një kohë që kërkon dialog dhe respekt të ndërsjellë, fyerja e partnerëve tanë në ambiente zyrtare tregon një dështim të thellë për ta kuptuar kohën në të cilën jetojmë”, shkroi ai në platformën sociale amerikane X.
Fico pyeti nëse Parlamenti Evropian do të pranonte paraqitje të ngjashme të presidentit francez Emmanuel Macron apo kancelarit gjerman Friedrich Merz, duke theksuar se skulptura duhet të hiqet nga ambientet e Parlamentit.
Instalacioni ka tërhequr kritika edhe nga disa eurodeputetë.
Eurodeputetja belge Barbara Bonte e cilësoi skulpturën si “turp”, ndërsa eurodeputeti hungarez Erno Schaller-Baross tha se ekspozimi i një statuje të zhveshur të Trumpit, të cilësuar si “murtajë”, është “hipokrizi” dhe “e padenjë për Parlamentin Evropian”.
Eurodeputeti irlandez Barry Cowen tha se është e mundur të kundërshtohen politikat e Trumpit, ndërsa skulptura të konsiderohet “e pamend dhe e kundërshtueshme”, duke shtuar se i ka shkruar Parlamentit për të shprehur kundërshtimin e tij.
Megjithatë, eurodeputeti danez Per Clausen, i cili e ftoi Galschiotin për ta ekspozuar veprën, e mbrojti instalacionin.





















