Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se është e papranueshme deklarata e ministres në Qeverinë e Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në "Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh".
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin sipas tij Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni kanë aq shumë nevojë, "kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t'u përballur me të kaluarën".
"Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës. Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dherihapin plagë që ende nuk janë shëruar", është shprehur Hoxha.
Sipas kryediplomatit të Shqipërisë, askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, "aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është 'kasapi i Ballkanit'".
Ministri Hoxha ka theksuar se besimi nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që "sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim", por sipas tij vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.
Ministrja e Administratës Publike dhe e Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka deklaruar se "po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën", deklaratë e cila ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.





















