| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Deklarata e ministres serbe "Do ta spastroja etnikisht Kosovën në 1998" shkakton reagime në Kosovë
Hoti duke ju drejtuar ministres serbe i tha se "babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë, por përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë".
Deklarata e ministres serbe "Do ta spastroja etnikisht Kosovën në 1998" shkakton reagime në Kosovë
Deklarata e ministres serbe "Do ta spastroja etnikisht Kosovën në 1998" shkakton reagime në Kosovë

Deklarata e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se "po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën", ka ngjallur reagime nga autoritetet kosovare.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në Kosovë, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

Hoti duke ju drejtuar ministres serbe i tha se "babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë, por përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë".

"Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik", ka shkruar Hoti.

"Përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon"

Po ashtu, në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në rrjetet sociale, kanë thënë se "përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon".

"Deklarata e Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte 'spastruar etnikisht Kosovën', rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë", thuhet në reagim.

Sipas Institutit, "krimet e kryera gjatë viteve 1998-1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë".

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqi, ishte figura kryesore e regjimit serb gjatë luftës në Kosovë. Ai u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por vdiq më 11 mars 2006 para se gjykimi për të të përfundonte.

Gjatë luftës në Kosovë konsiderohet se u vranë mbi 13 mijë persona, rreth një milionë shqiptarë u dëbuan nga vendbanimet e tyre ndërsa vazhdon të mbetet i panjohur fati edhe i mbi 1.500 të zhdukurve nga periudha e luftës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë