| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rritet fluksi në kufirin Shqipëri-Kosovë, mbi 2,5 milionë hyrje-dalje në dy muajt e fundit
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës njoftoi se gjatë periudhës maj-qershor 2026, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës janë përpunuar 2.569.414 shtetas dhe 1.303.496 automjete.
Rritet fluksi në kufirin Shqipëri-Kosovë, mbi 2,5 milionë hyrje-dalje në dy muajt e fundit
Sezoni turistik rrit fluksin në kufirin Kukës-Kosovë, mbi 2,5 milionë hyrje-dalje në maj dhe qershor

Pikat kufitare të qarkut të Kukësit me Kosovën kanë regjistruar një fluks të lartë lëvizjesh gjatë dy muajve të fundit.

Mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar dhe destinacione të tjera turistike për t'i kaluar fundjavat dhe pushimet verore. 

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës njoftoi se gjatë periudhës maj-qershor 2026, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës janë përpunuar 2.569.414 shtetas dhe 1.303.496 automjete.

Mesatarisht në ditë janë përpunuar 42.122 shtetas dhe 21.369 automjete.

“Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 74.247 shtetas dhe 28.959 automjete, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik”, tha drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, në një konferencë për mediat.

Për ta përballuar fluksin e shtuar, autoritetet kanë rritur kapacitetet e shërbimit në pikat kufitare, ndërsa në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë janë hapur dy poste të reja pune.

Alika shtoi se është drejt përfundimit instalimi i sistemeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat pritet të përshpejtojnë kalimin e qytetarëve dhe automjeteve, duke i ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë kufitare. 

“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në hapësirat liqenore dhe lumore të qarkut. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse po monitorohet respektimi i kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në hapësirat liqenore dhe lumore të qarkut dhe zbatimi i rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese. Për realizimin e këtyre detyrave janë angazhuar 57 punonjës policie, si dhe po kryhet monitorim i vazhdueshëm nga toka dhe ajri nëpërmjet dronëve”, tha Alika.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë