Tetë shoqata të mëdha ndërkombëtare të transportit detar i kanë kërkuar OKB-së të kundërshtojë vendosjen e taksave të detyrueshme ose tarifave të shërbimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Në një letër të përbashkët të hapur drejtuar shefit të OKB-së, Antonio Guterres dhe sekretarit të përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), Arsenio Dominguez, grupet paralajmëruan se tarifa të tilla do të minojnë lirinë e lundrimit dhe do të dëmtojnë ekonominë globale.
Letra u dërgua të hënën dhe u botua të mërkurën nga Dhoma Ndërkombëtare e Transportit Detar.
"Vendosja e tarifave të detyrueshme për tranzitin ose e tarifave të shërbimit që janë një tarifë në çdo gjë përveç emrit, përmes Ngushticës së Hormuzit do të përaqesë një largim të rëndësishëm nga praktika e vendosur ndërkombëtare", thuhet në letër.
Shoqatat paralajmëruan se lejimi i tarifave të tilla mund të krijojë një precedent për masa të ngjashme në rrugët e tjera ujore ndërkombëtare dhe të dobësojë kuadrin ligjor të njohur ndërkombëtarisht që rregullon kalimin e tranzitit. Kostot shtesë të transportit detar do të përhapen nëpër zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, duke kontribuar në çmime më të larta të transportit detar dhe energjisë, inflacion dhe pasiguri ekonomike, shtuan ata.
Nënshkruesit janë Shoqata e Pronarëve të Anijeve Aziatike, BIMCO (Këshilli Detar Baltik dhe Ndërkombëtar), Shoqata Ndërkombëtare e Linjave të Lundrimit, Pronarët e Anijeve Evropiane, Dhoma Ndërkombëtare e Transportit Detar, INTERCARGO (Shoqata Ndërkombëtare e Pronarëve të Anijeve të Ngarkesave të Thata), INTERTANKO (Shoqata Ndërkombëtare e Pronarëve të Pavarur të Cisternave) dhe Këshilli Botëror i Transportit Detar.
Grupet theksuan se siguria e detarëve dhe liria e lundrimit nuk duhet të kompromentohen gjatë negociatave mbi sigurinë rajonale dhe zgjidhjen e konflikteve.
Letra erdhi pasi Irani dhe Omani arritën mirëkuptim paraprak të mërkurën mbi pothuajse të gjitha çështjet në lidhje me rregullimet e ardhshme për Ngushticën e Hormuzit. Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha se një mirëkuptim përfundimtar është "në prag të finalizimit".
"Mirëkuptimi përfshin vendndodhjen e rrugëve të hyrjes dhe daljes për trafikun detar", tha Gharibabadi në komentet e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA. Ai shtoi se megjithatë se "ky mirëkuptim nuk do të thotë hapje e plotë e Ngushticës së Hormuzit".
"Ai përfaqëson një model të ri dhe të ndryshëm nga praktika e kaluar 60-vjeçare", tha zv/ministri i Jashtëm iranian. Këshilli i IMO-s tha në korrik se kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të mbetet pa taksa dhe tarifa sipas ligjit ndërkombëtar.
Gjithashtu theksoi se çdo marrëveshje midis shteteve bregdetare rajonale duhet të garantojë tranzitin jodiskriminues dhe të papenguar të të gjitha anijeve përmes skemës së ndarjes së trafikut të njohur ndërkombëtarisht.
Ngushtica e Hormuzit është kalim detar kritik që lidh Gjirin me Gjirin e Omanit dhe tregjet globale, duke i bërë ndërprerjet në trafikun tregtar një rrezik të madh për furnizimet dhe tregtinë ndërkombëtare të energjisë.


















