Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se një diplomaci e hapur ndaj talenteve të reja është thelbësore për Shqipërinë 2030.
Ministri Hoxha ka zhvilluar në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme një takim me diplomatët e rinj shqiptarë.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka theksuar se dija dhe përvoja marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm kur ndahen dhe transmetohen te brezi i ri.
"E nisa ditën me një bashkëbisedim të hapur dhe dinamik me brezin e ri të diplomatëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Diskutuam për plane dhe ambicie, dëshira e projekte, por mbi të gjitha për rëndësinë e përcjelljes së dijes dhe përvojës në shërbimin e jashtëm, si një themel i domosdoshëm për ndërtimin e një brezi të ri diplomatësh për Shqipërinë që duam", është shprehur Hoxha.
Ministri Hoxha ka shtuar se Shqipëria ka nevojë për një brez të ri diplomatësh, sipas tij, të pajisur me aftësitë dhe vizionin për të përballuar një botë gjithnjë e më dinamike, "si dhe plotësisht të sinkronizuar me ritmin e ri të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane".
"Një diplomaci e hapur ndaj talenteve të reja është thelbësore për Shqipërinë 2030. Ky është edhe synimi i thirrjeve të hapura tashmë nga MEPJ: ajo për rezervën e strukturuar të talenteve dhe thirrja për të shërbyer në misionin shqiptar pranë BE-së, për të forcuar dhe pasuruar një sistem që duhet të jetë në zemër të ndërveprimit tonë me botën, duke rritur më tej reputacionin dhe emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare", ka shtuar Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë është shprehur se investimi tek të rinjtë sot është garancia për një shërbim diplomatik më të fortë nesër dhe "për një Shqipëri që ecën me siguri drejt familjes evropiane".





















