| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Ambasadori turk: Janë të shumta mundësitë për investime Shqipëri-Türkiye në shëndetësi
Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, u shpreh se në botën e sotme, me plakjen e popullsisë, rritjen e urbanizimit dhe shtimin e problemeve mjedisore, shëndeti është kthyer një nga temat më kritike.
Ambasadori turk: Janë të shumta mundësitë për investime Shqipëri-Türkiye në shëndetësi
Ambasadori turk: Janë të shumta mundësitë për investime Shqipëri-Türkiye në shëndetësi / AA

Përfaqësia e Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve nga Türkiye në Shqipëri (MUSIAD Albania) ka organizuar në Tiranë forumin e diskutimit me temë "Kujdesi shëndetësor përtej kufijve: Rritja e qëndrueshme në fokus", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, shqiptare dhe bizneseve.

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij u shpreh se në botën e sotme, me plakjen e popullsisë, rritjen e urbanizimit dhe shtimin e problemeve mjedisore, shëndeti është kthyer një nga temat më kritike dhe strategjike. Sipas tij, për këtë arsye tregtia ndërkombëtare e produkteve dhe shërbimeve shëndetësore tashmë nuk përbën më thjesht një nevojë, por një domosdoshmëri.

"Türkiye, në 25 vitet e fundit ka shënuar përparime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë. Sot në vendin tonë, në spitalet dhe klinikat të standardeve të hoteleve me pjesë yje dhe të pajisura me zërin e fundit të teknologjisë ofrohen shërbime shëndetësore me çmime të arsyeshme. Türkiye është midis 10 vendeve të para në botë për sa i përket shërbimeve shëndetësore", tha ai.

Ambasadori turk shtoi se Shqipëria po ashtu është në një pozicion shumë të mirë sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore. "Bashkëpunimi ynë me Shqipërinë në fushën e shëndetësisë ka arritur në një nivel institucional falë marrëveshjes në lidhje me bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë të nënshkruar në vitin 2021. Ndërsa Spitali Memorial i Miqësisë Türkiye-Shqipëri në Fier është një tregues konkret dhe një nga shenjat e qarta të miqësisë midis dy vendeve tona", tha Erciyes.

Ambasadori Erciyes u shpreh se pas kërkesës së përcjellë nga kryeministri Edi Rama vitin e kaluar janë ngarkuar me detyrë gjithsej 10 drejtues shëndetësorë nga Türkiye për të shërbyer në spitale të ndryshme të Shqipërisë, që sipas tij përpiqen t'u ofrojnë qytetarëve shqiptarë shërbime shëndetësore sa më të mira.

"Po të marrim parasysh investimet e Evropës këtu (Shqipëri), fuqinë joshëse të Shqipërisë, infrastrukturën shëndetësore që duhet të zhvillohet, rritjen e ndjeshme të popullsisë gjatë sezonit turistik si dhe përvojën dhe kapacitetet e mëdha ekonomike në këto fusha të Türkiyes, besoj se janë të shumta mundësitë për tregti, investime dhe bashkëpunime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë midis Shqipërisë dhe Türkiyes", tha Erciyes.

- "Partneriteti strategjik me Republikën e Türkiyes është një shembull konkret i një bashkëpunimi të suksesshëm"

Zëvendësministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i Shqipërisë, Oltjon Muzaka, tha se reformat në sektorin shëndetësor në Shqipëri gjatë viteve të fundit përfaqësojnë një nga shtyllat më të rëndësishme të politikave publike. Ai shtoi se qëllimi i tyre ka qenë ndërtimi i një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, të barabartë dhe të orientuar drejt qytetarit.

"Një dimension kyç i këtyre politikave ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar. Partneriteti strategjik me Republikën e Türkiyes është një shembull konkret i një bashkëpunimi të suksesshëm që ka sjellë jo vetëm investime infrastrukturore, por edhe modele të reja organizimi dhe menaxhimi në sistemin tonë shëndetësor. Në këtë kontekst Spitali Rajonal Memorial në Fier përfaqëson një model reference për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit", theksoi Muzaka.

Kryetari i MUSIAD Albania, Muhammet Isler, në fjalën e tij u shpreh se ky takim është një pasqyrim i fuqishëm i vizonit të përbashkët, inteligjencës strategjike dhe një sektori që prek direkt jetën e njeriut.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë sot është një nga fushat që po transformohet më shpejt në botë. Ai shtoi se Türkiye ka arritur një pozicion të rëndësishëm në këtë transformim dhe sipas tij Shqipëria ka një potencial të rëndësishëm. "Ne si MUSIAD jemi një lëvizje vullnetplotë që prodhon vlera, ndërton besim dhe ndërton ura ekonomike midis vendeve", tha Isler.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë