Bashkimi Evropian dënoi “fuqishëm” të enjten sulmet e Huthive në Jemen dhe goditjet ndaj Arabisë Saudite, duke i bërë thirrje grupit t’i ndërpresë të gjitha veprimet ushtarake.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm fushatën ushtarake të Huthive në Jemen dhe sulmet ndaj Arabisë Saudite, përfshirë sulmin e fundit që kishte në shënjestër Mekën, qytetin e shenjtë të Islamit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni.
BE-ja shprehu “solidaritet të plotë” me Arabinë Saudite dhe theksoi se shënjestrimi i civilëve dhe infrastrukturës civile është “i papranueshëm”.
“Sulmet e Huthive dëmtojnë perspektivat për një zgjidhje joushtarake të konfliktit në Jemen dhe cenojnë më tej sigurinë rajonale. U bëjmë thirrje Huthive të ndërpresin të gjitha veprimet ushtarake”, thuhet në deklaratë.
Blloku evropian bëri të ditur gjithashtu se do të vazhdojë të punojë me Kombet e Bashkuara, partnerët rajonalë dhe komunitetin ndërkombëtar për uljen e tensioneve dhe arritjen e një “paqeje gjithëpërfshirëse, përfshirëse dhe të qëndrueshme” në Jemen.
Luftimet mes forcave të qeverisë jemenase dhe Huthive janë intensifikuar që nga fillimi i korrikut.
Arabia Saudite njoftoi të martën se mbrojtja e saj ajrore kishte interceptuar dhe shkatërruar një dron, për të cilin tha se ishte lëshuar nga Huthitë e Jemenit drejt Mekës, përpara se të hynte në hapësirën ajrore të kufizuar të qytetit të shenjtë.
Huthit mohuan përgjegjësinë për sulmin.
Arabia Saudite është përballur ditët e fundit me sulme me raketa dhe dronë që u janë atribuar Huthive, në një kohë kur situata ushtarake në rajon është përshkallëzuar.






















