Irani sot urdhëroi një diplomat suedez të largohet nga vendi brenda 48 orëve në një lëvizje reciproke pasi Stokholmi dëboi një zyrtar të ambasadës iraniane një ditë më parë.
Ministria e Jashtme iraniane tha se e thirri ambasadorin e Suedisë në Teheran, Mathias Otterstedt, dhe e informoi atë se një diplomat suedez do të duhet të largohet nga Irani brenda 48 orëve, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.
Ministria tha se vendimi erdhi pasi Suedia urdhëroi një diplomat iranian që punonte në ambasadën e Iranit në Stokholm të largohej nga vendi. Ajo hodhi poshtë ato që i quajti akuzat "të pabaza" të Suedisë se Irani kishte ndërhyrë në çështjet e sigurisë së vendit dhe dënoi ashpër dëbimin e diplomatit iranian.
Teherani e përshkroi masën e Suedisë si "të pajustifikuar" dhe tha se ajo shkel ligjin ndërkombëtar, duke akuzuar Stokholmin për pengim të operacioneve normale të ambasadës iraniane. Ministria akuzoi gjithashtu Suedinë për ndjekjen e “politikave armiqësore” ndaj Iranit dhe pritjen e individëve dhe grupeve kundër Teheranit.
Ministria tha se Irani do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij kombëtare, duke përfshirë parimin e reciprocitetit. Të mërkurën, qeveria suedeze tha se kishte dëbuar një zyrtar të ambasadës iraniane pasi thirri ambasadorin e Iranit.
Stokholmi tha se zyrtarit iu kërkua të largohej nga Suedia për “aktivitete që nuk janë në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike".
Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha se vendimi ishte marrë për t'i mbrojtur qytetarët dhe interesat suedeze ndërsa ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer tha: "Ne e dimë se Irani ka kryer për një kohë të gjatë aktivitete kërcënuese për sigurinë brenda dhe kundër Suedisë".






















