Shoqata e Transportit Publik në Shqipëri ka paralajmëruar reduktimin me 30 për qind të flotës së autobusëve, si në linjat urbane, ashtu edhe në ato ndërqytetase, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimit të naftës.
Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke sjellë rritje të çmimeve të karburanteve edhe në vend.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Mema u shpreh, në një prononcim për mediat shqiptare, se rritja e çmimit të naftës e bën situatën ekonomike të papërballueshme për sektorin.
Ai shprehet se u janë drejtuar me disa kërkesa për mbështetje institucioneve për të cilat, thekson se nuk kanë marrë përgjigje.
“Për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimit të naftës dhe mungesës së reagimit nga institucionet, jemi të detyruar të reduktojmë flotën e mjeteve me 30 për qind, nëse nuk ka një ndërhyrje emergjente”, tha Mema.
Shoqatat e transportit kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse rishikimin e taksave mbi karburantin, duke propozuar subvencionim të drejtpërdrejtë për litër si në situatën me Ukrainën, si dhe ulje të taksave si ajo e qarkullimit dhe akciza.
Sipas tyre, ulja me 20 për qind e akcizës nuk ka ndikim të ndjeshëm në aktivitetin e transportit publik, pasi përkthehet në vetëm rreth 0.073 euro për litër.
Përfaqësuesit e sektorit theksuan se nuk parashikohet rritje e çmimit të biletës, megjithëse kostot e operimit janë rritur ndjeshëm.
Çmimi i naftës në vend është rritur nga rreth 1.8 euro për litër në 2.23 euro për litër pas konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur ringritjen e Bordit të Transparencës dhe ka miratuar një mekanizëm që parashikon uljen automatike me 20 për qind të akcizës së naftës, kur çmimi i saj kalon mbi 2.29 euro për litër.
Gjithashtu, është premtuar mbështetje për shtresat në nevojë, përfshirë pensionistët, në rast të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

















