Liderët evropianë u tubuan në Bruksel për të diskutuar mbi ekonominë, konkurrueshmërinë, mbështetjen për Ukrainën dhe situatën në Lindjen e Mesme, ndërsa shprehën qëndrime të ndryshme lidhur me buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian (BE) për periudhën 2028-2034.
Disa liderë shprehën qëndrime të kundërta lidhur me Kornizën Shumëvjeçare Financiare të propozuar të bllokut, teksa mbërritën në takimin e Këshillit Evropian. Mospajtimet përqendrohen te shuma e buxhetit, prioritetet e shpenzimeve dhe kontributet financiare të shteteve anëtare.
Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, u bëri thirrje vendeve evropiane që ta rrisin mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, duke theksuar se disa shtete anëtare po mbeten prapa në këtë drejtim.
"Shumë vende evropiane po mbeten prapa në mbështetjen për Ukrainën. Prandaj, duhet të shtojmë përpjekjet tona dhe të sigurohemi që ajo ta fitojë këtë luftë të pakuptimtë", tha Jetten.
Sa i përket buxhetit afatgjatë të BE-së, Jetten deklaroi se propozimi i paraqitur nga presidenca irlandeze "nuk është mjaftueshëm i mirë", duke argumentuar se buxheti duhet të jetë më i vogël dhe më modern, me përparësi konkurrueshmërinë, sigurinë dhe mirëqenien e ardhshme.
Edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e kundërshtoi buxhetin e propozuar, duke theksuar se ai do ta rriste kontributin neto të Suedisë me rreth 60 për qind.
"Një rritje prej 60 për qind e kontributit të Suedisë është thjesht e papranueshme. Kjo është një vijë e kuqe që nuk mund të kalohet", tha ai, duke shtuar se Suedia nuk do të pranonte rritje të mëtejshme të kontributeve të saj.
Kristersson tha se negociatat do të jenë të tensionuara dhe vuri në pikëpyetje nëse mund të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit. Ai theksoi nevojën për një buxhet që balancon modernizimin, mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet tradicionale të shpenzimeve.
Ndërkohë, presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e mirëpriti propozimin e presidencës irlandeze, duke e cilësuar atë si të balancuar.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për shkurtimet në Fondin për Lidhjen e Evropës (Connecting Europe Facility), veçanërisht në fushën e lëvizshmërisë ushtarake, si dhe në fondin për konkurrueshmëri.
Ai theksoi se nevojitet një buxhet ambicioz me financim të mjaftueshëm për t'i realizuar prioritetet e bllokut, duke shtuar se arritja e një konsensusi deri në fund të vitit do të jetë e vështirë.
Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, tha se siguria, ndërlidhja dhe konkurrueshmëria janë ndër prioritetet kryesore të vendit të tij, veçanërisht duke pasur parasysh pozicionin e Estonisë në kufirin lindor të BE-së.
Ai gjithashtu bëri thirrje për uljen e burokracisë, në mënyrë që blloku të mund të konkurrojë me Kinën dhe ShBA-në, ndërsa tha se nuk pret kompromise të mëdha gjatë samitit.
Kryeministri irlandez, Micheal Martin, mbrojti propozimin, duke u shprehur se presidenca irlandeze është përpjekur t'i lehtësojë negociatat duke balancuar qëndrimet e shteteve anëtare.
Ai tha se propozimi ruan fondet e kohezionit dhe mban elementet kryesore të fondit për konkurrueshmëri, duke pranuar njëkohësisht se ende ka çështje që duhet të zgjidhen para fundit të vitit.
"Qëndrimi im ka qenë gjithmonë se Evropa ka nevojë për një buxhet më të madh për t'i arritur objektivat e saj", shtoi Martin.
Kryeministri i Letonisë, Andris Kulbergs, theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar, duke vënë në dukje se "një ekonomi e fortë mund të sjellë vetëm një mbrojtje të fortë".
Ai tha se vendet e Evropës Lindore kanë nevojë për mbështetje shtesë ekonomike për ta garantuar sigurinë e kufijve lindor të bllokut.
Gjithashtu, ai bëri thirrje për masa të mëtejshme që do ta ndihmonin Ukrainën t'i eksportojë produktet e saj bujqësore dhe për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Kulbergs e cilësoi dimrin e ardhshëm si një periudhë vendimtare për Ukrainën, duke theksuar se aftësia e vendit për të ruajtur qëndrueshmërinë është e lidhur ngushtë me sigurinë e vetë Evropës.
"Duhet të mendojmë pak më pak për rehatinë tonë, pak më pak për veten dhe të mendojmë më shumë për atë që është më e mira për Evropën në tërësi", shtoi ai.
"Për një evropian, kjo do të thotë të pijë një birrë më pak në vit. Ne mund ta përballojmë këtë, por Ukrainës i duhet ndihma tani. Për ne, ajo birrë është thjesht një kosto. Atje, bëhet fjalë për koston e jetës", tha më tej Kulbergs.
























