Punonjësit hoqën të enjten tabelat identifikuese nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Jeruzalemin Lindor të pushtuar, ndërsa skadoi afati i vendosur nga Izraeli për mbylljen e misionit diplomatik, raporton korrespondenti i Anadolu-t nga terreni.
Korrespondenti pa punonjësit teksa hiqnin pllakën që identifikonte ndërtesën si Konsullata e Përgjithshme Britanike, si dhe tabelat e sektorit konsullor.
Të enjten përfundoi afati 30-ditor i vendosur nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i cili urdhëroi mbylljen e konsullatës në përgjigje të masave të ndërmarra nga Britania kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë ndalimin e importit të produkteve që vijnë prej tyre.
Konsullata, e vendosur në lagjen Sheikh Jarrah të Jeruzalemit Lindor, është përgjegjëse për marrëdhëniet e Britanisë me palestinezët në Jeruzalem, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gaza, si dhe për ofrimin e shërbimeve konsullore.
Londra është përpjekur ta parandalojë mbylljen përmes bisedimeve diplomatike, përfshirë një vizitë në Izrael javën e kaluar nga këshilltari britanik për sigurinë kombëtare.
Urdhri për mbylljen e konsullatës nuk prek Ambasadën Britanike në Tel Aviv.





















