| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Erdoğan: Siguria e shkollave është prioritet kryesor, nuk do të ketë kompromise
Recep Tayyip Erdoğan thekson përdorimin e inteligjencës artificiale dhe bashkëpunimin më të fortë polici–shkolla për t’i parandaluar rreziqet e dhunës.
Erdoğan: Siguria e shkollave është prioritet kryesor, nuk do të ketë kompromise
Erdoğan: Siguria e shkollave është prioritet kryesor, nuk do të ketë kompromise / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha të hënën se garantimi i sigurisë në shkolla mbetet prioriteti kryesor i qeverisë dhe se për këtë çështje nuk do të ketë asnjë lëshim.

Duke iu drejtuar kombit pas mbledhjes së kabinetit, Erdoğan tha se dhuna duhet trajtuar përmes një strategjie gjithëpërfshirëse, që nis nga dinamika familjare, ekspozimi ndaj medieve digjitale dhe bashkëpunimi institucional.

“Sa më saktë t’i identifikojmë faktorët që e ushqejnë kulturën e dhunës, aq më të suksesshëm do të jemi në procesin e trajtimit,” tha ai.

Ai theksoi se autoritetet planifikojnë të forcojnë praninë e tyre në mjediset online duke përdorur inteligjencën artificiale, duke shtuar se monitorimi në hapësirat digjitale do të zgjerohet.

“Do ta forcojmë më tej praninë tonë të dukshme dhe të padukshme në cepat e errët të internetit duke përfituar edhe nga inteligjenca artificiale,” tha ai.

Të mërkurën, një nxënës i klasës së 8-të hapi zjarr në një shkollë të mesme në provincën Kahramanmaraş të Türkiyes, duke vrarë nëntë persona dhe duke plagosur 13 të tjerë.

Erdoğan tha se një nga hapat do të jetë rritja e bashkëpunimit mes shkollave dhe organeve të rendit, si dhe zhvillimi i modeleve të reja të punës.

Po ashtu, do të përmirësohet komunikimi mes shkollave dhe prindërve, përfshirë forcimin e sistemit të takimeve me prindër dhe hapjen e linjave mbështetëse për adresimin e varësisë nga teknologjia, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se përshkrimet mediatike të dhunës mund të kenë ndikim negativ tek të rinjtë, duke thënë se portretizimi i autorëve si figura të fuqishme apo të respektuara deformon perceptimin e realitetit tek të rinjtë.

Gjithashtu, ai paralajmëroi se raportimi i detajuar i akteve të dhunshme dhe transmetimi i përsëritur i pamjeve të sulmeve mund ta rrisë rrezikun e imitimit te fëmijët.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë