| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 19-të
Mijëra protestues janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 19-të
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 19-të / AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 19-të.

Mijëra protestues janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.

Në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, ndërkohë ndryshe nga protestat e kaluara kanë marshuar drejt selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë gjatë kohës që po votoheshin projektligjet.

Më pas, protestuesit kanë vijuar marshimin e tyre drejt selisë së Partisë Demokratike, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama. Pas qëndrimit disa orë në bulevard, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit.

Për Anadolu disa nga protestuesit janë shprehur se do të vazhdojnë protestat dhe se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

 “Jam në protestë për Shqipërinë dhe për shqiptarët”

Artur Gjini, 39-vjeç, shprehet se janë të kuptueshme të gjitha arsyet pse protestojnë.

"Unë jam (në protestë) për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Do të kërkojmë ato që kërkon gjithë populli, të drejtat e popullit. Jo vetëm (dorëheqje) të Ramës, por edhe të Sali (Berishës), Ilir Metës( kryetari i partisë opozitare, Partia e Lirisë), e dinë të gjithë shqiptarët çfarë kanë bërë ata", tha Gjini.

Gjini theksoi ndër të tjera se në vend duhet të ndryshohet çdo gjë.

Protestuesi: Është boshatisur Shqipëria

Edri Ndreu, 40 vjeç, shprehet se në politikën e vendit duhet të vijë një frymë e re.

"Nëse ka pas disa ndryshime, në rregull, super pozitive, por politika ka stopuar, duhet të vijnë fryma të reja që të vazhdojnë përpara. Sigurisht, jo vetëm (dorëheqje) të Ramës, por gjithë parlamenti të shkrihet. Kanë ikur, është boshatisur Shqipëria. Sektori i ndërtimit nuk ka punëtorë, është keq (situata)", u shpreh protestuesi.

Ndreu tha se për të duhet të vazhdojnë protesta, por theksoi se kjo varet nga organizatorët. "Nuk janë këta (politikanët) ata që vendosin kush do të jetojë dhe kush do të vdesë, çfarë do të shitet dhe çfarë do të blihet", u shpreh Ndreu.

Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta është zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë