Seanca e Kuvendit të Shqipërisë është ndërprerë disa herë sot, për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD).
Në seancën e sotme plenare është parashikuar informimi i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, rreth procesit të negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) dhe disa projektligje.
Pasi kryeparlamentari Niko Peleshi i dha fjalën ministrit Hoxha për të folur rreth rendit të ditës së seancës, deputetët e PD-së bllokuan foltoren, pasi kërkuan minuta shtesë dhe që fjala t'i jepej kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Deputetët u përfshinë edhe në debate për protestat në Tiranë që kanë filluar që në fillim të muajt qershor.
Duke folur në seancë, Berisha, theksoi se opozita nuk mund të vazhdojë normalisht punimet parlamentare ndërkohë që, sipas tij, "qindra mijëra qytetarë ndodhen prej 18 ditësh në protestë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe rikthimin e shtetit ligjor".
"Vazhdimi me çështje të tjera në këtë parlament pa ardhur Edi Rama këtu për ta paraqitur dorëheqjen, ose në mocion me debat, është një akt sa tradhtie, aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë. Nuk keni asnjë të drejtë të injoroni qindra mijëra shqiptarë që kanë 18 ditë me flamurin e lirisë në dorë, me flamurin e ligjit dhe të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, sakrifikojnë orë të tëra", u shpreh Berisha.
Gjatë seancës parlamentare, disa deputetë të opozitës mbanin pankarta në mbështetje të protestës.
Kujtojmë se në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, ndërkohë sot është paralajmëruar protesta e 19-të.





















