Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, tha se janë fuqimisht të përkushtuar ndaj zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse kombëtare që janë pjesë integrale e mbrojtjes kolektive të Aleancës, njoftoi Ministria, transmeton Anadolu.
"Ne jemi fuqimisht të përkushtuar ndaj zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse kombëtare që janë pjesë integrale e mbrojtjes kolektive të Aleancës. Kjo është e dukshme përmes investimeve në mbrojtje, por edhe përmes procesit të modernizimit dhe pajisjes që është i dukshëm me çdo ditë që kalon", theksoi Misajllovski në takimin e sotëm të Këshillit të Atlantikut të Veriut në selinë e NATO-s në Bruksel.
Ministri Misajllovski, sipas njoftimit, theksoi se shteti po ndan fonde rekord për mbrojtjen, të cilat po investohen në mënyrë efikase dhe efektive në procesin e pajisjes dhe modernizimit me qëllim përmbushjen e Objektivave të Kapaciteteve të NATO-s në përputhje me dinamikën e planifikuar.
"Vendi ynë po bën një hap përpara në zhvillimin e kapaciteteve", theksoi Misajllovski, duke theksuar se vetëm gjatë vitit të kaluar, në vend kanë mbërritur pajisje të konsiderueshme, të cilat, paralelisht me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, kanë mundësuar që Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të ushtrisë të vlerësohet si "i aftë për të kryer misionin e tij", në përputhje me të gjitha standardet e NATO-s.
Në margjinat e takimit, ministri Misajllovski bisedoi me shumicën e kolegëve të tij, ndërsa pati edhe një takim me ministrin grek të Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, në të cilin diskutuan "angazhimin e përbashkët strategjik", një rajon paqësor dhe të qëndrueshëm, si dhe një mbrojtje të fortë kolektive.
Takimi nxori në pah komunikimin e hapur, të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm që kontribuon në rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit në mbrojtje, thuhet në njoftim, siç konfirmohet nga angazhimi i ndërsjellë dhe zbatimi domethënës i planit vjetor të bashkëpunimit në mbrojtje.
Në njoftim thuhet se Misajllovski shtoi në takim se investimet që po bëhen aktualisht në mbrojtje dhe siguri, si dhe investimi i fuqishëm në rrjetin e transportit në korridoret 8 dhe 10, mundësojnë mbrojtje më të fortë dhe siguri më të madhe për qytetarët e të dy vendeve.





















