| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
FSK-ja zhvillon trajnim për zhytje në Shqipëri
Ministri Maqedonci tha se këtij bashkëpunimi i ka dhënë shtysë të re edhe Marrëveshja Trilaterale në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e cila e synon avancimin e bashkëpunimit, ndërveprueshmërisë dhe sigurisë në rajon.
FSK-ja zhvillon trajnim për zhytje në Shqipëri
FSK-ja zhvillon trajnim për zhytje në Shqipëri

Pjesëtarë të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimeve për Kërkim-Shpëtim në kuadër të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK, kanë realizuar trajnimin “Zhytje Rifresukese”, në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Pashaliman, Vlorë.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, tha se këtij bashkëpunimi i ka dhënë shtysë të re edhe Marrëveshja Trelaterale në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e cila synon avancimin e bashkëpunimit, ndërveprueshmërisë dhe sigurisë në rajon.

"Të ndërtuara mbi lidhjet tona të pandashme historike, kombëtare dhe vëllazërore, marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e mbrojtjes po thellohen vazhdimisht, duke u shndërruar në një partneritet strategjik me rezultate konkrete në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse", theksoi Maqedonci.

Sipas tij, trajnimi u fokusua në rifreskimin dhe avancimin e njohurive profesionale në zhytje, përmes aplikimit të teknikave moderne, rritjes së standardeve të sigurisë nënujore, planifikimit dhe realizimit të operacioneve të zhytjes, kontrollit të lundrueshmërisë, zbatimit të sistemit "buddy" si dhe zhvillimit të aftësive instruktive dhe demonstrative.

"Përmes këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë avancuar më tej kapacitetet e tyre profesionale dhe operacionale për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore, duke dëshmuar edhe një herë se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një shtyllë e rëndësishme e ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe e forcimit të sigurisë së përbashkët", shtoi Maqedonci.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë