Mbajtja e postit nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë qëllim në vetvete; është një mjet për t'u shërbyer qytetarëve, deklaroi sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në seancën e 112-të të Kuvendit, ku pritet të shkarkohen dhe të emërohen anëtarë të Qeverisë.
Duke iu referuar propozimit për shkarkimin e disa prej ministrave, ai tha se secili prej tyre është njeri me nder dhe dinjitet dhe mbi të gjitha, njeri i ndershëm. Sot, theksoi Mickoski, "ne nuk po ndahemi nga individë që dështuan në kryerjen e detyrave të tyre, përkundrazi, po ndahemi nga njerëz që në fusha të ndryshme përgjegjësie, kontribuan në zbatimin e programit për të cilin qytetarët kishin dhënë besimin e tyre".
"Që nga dita e parë kur morëm përgjegjësinë, deklarova se kjo Qeveri nuk do të ishte një qeveri rehatie, por një qeveri rezultatesh. Nuk do të ishte një Qeveri ku mbajtja e postit shihet si e drejtë e garantuar, por si një obligim që duhet fituar sërish çdo ditë. Ky nuk ishte një slogan politik; ishte një parim. Sot po dëshmojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë", tha Mickoski.
Sipas tij, rikonstruimi i qeverisë nuk duhet parë si fundi i punës së askujt. "Qytetarët meritojnë ta shohin qartë dallimin midis një politike që kënaqet me justifikime dhe një politike që sjell rezultate", tha Mickoski.
Duke shprehur mirënjohjen e tij për anëtarët e Qeverisë, të cilët, siç theksoi i kanë kryer detyrat e tyre me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim gjatë periudhës së kaluar, Mickoski nënvizoi: "Me vlerësim të sinqertë për punën e tyre, ne po hapim fazën tjetër, jo sepse e nënvlerësojmë atë që është arritur, por sepse duam të ndërtojmë edhe më tej mbi atë themel".























