Gjashtë nga 32 vatrat e zjarrit të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë akoma të paizoluara, ndërsa katër të tjera po mbahen nën mbikëqyrje.
Operacioni më i madh po zhvillohet në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku janë angazhuar 190 forca, shtatë automjete zjarrfikëse, një ekskavator dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Në terren ndodhen zjarrfikës, efektivë ushtarakë, punonjës të shërbimit pyjor dhe strukturave vendore, si dhe vullnetarë e banorë të zonës.
Vatrat e tjera aktive ndodhen në Tenë dhe Shtuf të Mirditës, Dukat të Vlorës, Malin e Dajtit në Tiranë dhe Bërshi të Klosit. Në Tenë, Dukat dhe Dajt nuk rrezikohen banesat, ndërsa në Bërshi era ka riaktivizuar disa vatra. Ndërhyrja në Shtuf vështirësohet nga terreni i thepisur.
Në operacionet e një dite më parë u angazhuan 726 forca dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura ofruan mbështetje me 270 efektivë, pesë automjete zjarrfikëse, katër helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se situata po monitorohet në gjithë vendin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri.




















