| Albanian
SOCIALE
2 minuta leximi
Veterinerët përdorin për herë të parë terapi kundër kancerit te një gjarpër
Kopshti zoologjik njoftoi se pitoni 50 kilogramësh, i quajtur Jodie Foster, u diagnostikua me fibrosarkomë malinje pasi kujdestarët vunë re se hante më pak dhe kalonte më shumë kohë pa lëvizur.
Veterinerët përdorin për herë të parë terapi kundër kancerit te një gjarpër
Veterinerët përdorin për herë të parë terapi kundër kancerit te një gjarpër/ AA

Një piton rrjetëzor 4,5 metra i gjatë në kopshtin zoologjik Chester Zoo është bërë gjarpri i parë i njohur që i është nënshtruar elektrokimioterapisë, pasi një tumor kanceroz iu rishfaq dhe filloi t’i prekte një pjesë të kockës së nofullës.

Kopshti zoologjik njoftoi se pitoni 50 kilogramësh, i quajtur Jodie Foster, u diagnostikua me fibrosarkomë malinje pasi kujdestarët vunë re se hante më pak dhe kalonte më shumë kohë pa lëvizur. Veterinerët fillimisht ia hoqën tumorin, por ai më vonë u rishfaq.

Veterinerët e kopshtit zoologjik bashkëpunuan me specialistë nga Universiteti i Liverpoolit për ta përshtatur elektrokimioterapinë për Jodie-n.

Trajtimi kombinon ilaçin kundër kancerit bleomicinë me impulse elektrike të kontrolluara, të cilat përkohësisht i bëjnë qelizat kanceroze më të përshkueshme, duke mundësuar që ilaçi të depërtojë në to në mënyrë më efektive.

Ian Ashpole, veteriner në Chester Zoo, tha se ekipi kishte frikë se tumori i rishfaqur përfundimisht do ta pengonte Jodie-n të ushqehej.

“Me sa dimë, kjo është hera e parë që kjo terapi është përdorur ndonjëherë te një gjarpër”, tha ai, duke iu referuar përdorimit të elektrokimioterapisë.

Gjatë procedurës 90-minutëshe, Ashpole hoqi tumorin dhe një pjesë të kockës së sëmurë të nofullës së Jodie-t, përpara se të aplikohej elektrokimioterapia. Për shkak të përmasave të saj, u desh të bashkoheshin dy tavolina operacioni.

Pavarësisht se i është hequr një pjesë e kockës së nofullës, oreksi dhe aftësia e Jodie-t për të gjuajtur nuk janë ndikuar. Sipas kopshtit zoologjik, një kontroll përfundimtar këtë javë nuk gjeti shenja të rikthimit të kancerit.