Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim kryeparlamentarin e Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, ku u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Begaj bëri të ditur se gjatë takimit u fol mbi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, duke theksuar se ato mbështeten në prioritete të njëjta të politikës së jashtme dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti shqiptar nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërparlamentar në forcimin e këtyre lidhjeve.
Kreu i shtetit vlersoi mbështetjen e vazhdueshme politike të Kroacisë ndaj procesit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, si dhe për ndarjen e përvojës dhe ekspertizës së saj gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Rruga juaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të na frymëzojë, duke treguar se reformat e vendosura, të udhëhequra nga një vizion i qartë evropian, sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe të gjithë rajonin”, tha Begaj.
Më tej, ai theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për anëtarësimin e plotë në BE, duke vënë në dukje se vendi ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe vendimtare të procesit.
“Fokusi ynë është mbyllja e kapitujve dhe finalizimi i negociatave”, deklaroi Begaj, duke shprehur besimin se Shqipëria do të vijojë të ketë mbështetjen e Kroacisë dhe institucioneve të saj.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal për garantimin e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuadër, Begaj vlerësoi mbështetjen e Kroacisë për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat rajonale dhe euroatlantike.






















