| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshjen për pikat kufitare
Marrëveshja e re sjell status më të lartë për pikat kufitare dhe kontroll më efikas të kufirit, me disa sfida në zbatimin e saj.
Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshjen për pikat kufitare
Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshjen për pikat kufitare / AA

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nënshkruan sot në Sarajevë Marrëveshjen ndërmjet dy shteteve për pikat kufitare, me të cilën, siç u theksua, forcohet bashkëpunimi dypalësh dhe krijohen kushte për kalim më të lehtë të kufirit të përbashkët shtetëror dhe për një sistem më efikas të kontrollit të tij.

Krishto sqaroi se, sipas marrëveshjes së mëparshme të vitit 2013, vetëm dy pika kufitare kishin statusin e stacionit të inspektimit kufitar (BIP), ndërsa me marrëveshjen e re ky status është zgjeruar në pesë pika kufitare: Svilaj, Izaçiq, Kamensko, Bijaça dhe Gradishka.

Ajo shtoi se me marrëveshjen e re janë përcaktuar edhe pikat kufitare për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe hekurudhor, si dhe pikat kufitare të destinuara ekskluzivisht për banorët e zonave kufitare, duke theksuar se të gjitha pikat kufitare janë ngritur në një kategori më të lartë.

Plenkoviq vlerësoi se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve, veçanërisht për shkak të rikategorizimit të pikave kufitare.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që lidhet me Ligjin për të Huajt, të miratuar së fundmi në Kroaci, i cili ka lehtësuar lëshimin e vizave afatgjata për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës.

Plenkoviq shprehu pritjen se sistemi i ri do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike, të cilat në vitin 2025 arritën një rekord prej katër miliardë eurosh.

Siç ishte njoftuar më herët nga Këshilli i Ministrave i Bosnjë e Hercegovinës, qëllimi i marrëveshjes është përmirësimi i bashkëpunimit dypalësh, lehtësimi i kalimit të kufirit dhe krijimi i një sistemi më efikas kontrolli.

Megjithatë, Administrata për Tatim të Tërthortë e Bosnjë e Hercegovinës (UIO) paralajmëroi se nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjes në këtë moment mund të shkaktojë probleme në funksionimin e infrastrukturës kufitare, veçanërisht në Gradishka.

Sipas tyre, Gradishka mund të mbetet pa status adekuat të pikës kufitare, ndërsa veriu i vendit mund të mbetet pa një pikë kufitare për transportin e mallrave që kërkojnë kontrolle fitosanitare dhe inspektime të tjera.

UIO-ja sqaroi se arsyeja e këtij paralajmërimi është fakti se Bordi Drejtues i institucionit ende nuk e ka miratuar rregulloren për organizimin e brendshëm në pikën e re kufitare në Gradishka, gjë që, sipas tyre, është parakusht i domosdoshëm për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Sipas qëndrimit të tyre, pa krijimin e njësisë së re organizative në atë lokacion, zbatimi i marrëveshjes mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, transportuesit dhe ekonominë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë