| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kallas nga Brukseli kërkon veprim “më strategjik” për ruajtjen e rolit gjeopolitik
Kryediplomatja e BE-së bën thirrje për koordinim më të mirë të ndihmës, tregtisë dhe mjeteve të sigurisë.
Kallas nga Brukseli kërkon veprim “më strategjik” për ruajtjen e rolit gjeopolitik
Kallas nga Brukseli kërkon veprim “më strategjik” për ruajtjen e rolit gjeopolitik / AA

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se BE-ja duhet të veprojë më strategjikisht nëse dëshiron të mbetet një aktor gjeopolitik, në një kohë kur ndihma globale për zhvillim po tkurret.

“Nëse duam të jemi një aktor gjeopolitik, duhet të jemi më strategjikë në këtë drejtim”, tha Kallas në Bruksel përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, i fokusuar te zhvillimi.

Ajo tha se Europa mbetet “donatori më i madh në botë i ndihmës humanitare dhe ndihmës për zhvillim”, por theksoi se burimet duhet të përdoren në mënyrë më efektive.

“Kjo do të thotë se duhet t’i përshtatim mjetet tona … me nevojat e partnerëve tanë, por gjithashtu të marrim parasysh interesat tona”, shtoi ajo.

Kallas gjithashtu iu referua burimeve të kufizuara në kuadër të iniciativave si “Global Gateway”, duke thënë: “Duhet të jemi më strategjikë për këtë, për të kuptuar se ku kontributi ynë ka ndikimin më të madh”.

Ajo la të kuptohet gjithashtu se BE-ja duhet të mbetet fleksibile në partneritetet e saj.

“Nëse një partner mbështet Rusinë ose Iranin, atëherë … ne mund të rishikojmë angazhimin tonë”, tha ajo.

Kallas paralajmëroi gjithashtu për ndikimin më të gjerë të luftës në Iran, veçanërisht mbi popullsitë më të cenueshme.

“Po shohim rritjen e çmimeve të energjisë, po shohim inflacionin … si dhe krizën e plehrave kimike që … mund të sjellë uri”, tha ajo.

Ajo shtoi se BE-ja po thellon bashkëpunimin me aktorët rajonalë, përfshirë vendet e Gjirit, ndërsa vazhdon të mbështesë përpjekjet e OKB-së për të ndihmuar ata që janë më të prekur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë