| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Irani do të krijojë një organ të ri për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit
Teherani thotë se autoriteti i ri do të ofrojë përditësime operative dhe zhvillimet lidhur me rrugën strategjike ujore.
Irani do të krijojë një organ të ri për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit
Irani do të krijojë një organ të ri për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit / Reuters

Irani njoftoi krijimin e një organi të ri të ngarkuar për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit mes tensioneve në rritje me ShBA-në lidhur me këtë rrugë strategjike ujore.

Autoriteti i ri do të ofrojë "përditësime të menjëhershme lidhur me operacionet në Ngushticën e Hormuzit dhe zhvillimet më të fundit", tha Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit në rrjetin social X të kompanisë amerikane.

Nuk janë publikuar detaje shtesë lidhur me strukturën, kompetencat apo përgjegjësitë e organit të ri.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat kyçe të kalimit energjetik në botë, duke lidhur Gjirin me Gjirin e Omanit dhe tregjet ndërkombëtare. Ndërprerjet në këtë zonë kanë nxitur shqetësime lidhur me furnizimet globale me naftë, karburant dhe gaz që nga fillimi i luftës me Iranin.

Të shtunën, kryetari i Komisionit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme të parlamentit iranian, Ebrahim Azizi tha se vendi i tij ka hartuar mekanizëm për rregullimin e trafikut detar përmes një rruge të përcaktuar në Hormuz dhe se do të vendosë tarifa "për shërbimet e specializuara" të ofruara sipas këtij sistemi.

"Në këtë proces, vetëm anijet tregtare dhe palët që bashkëpunojnë me Iranin do të përfitojnë prej tij", shkroi ai në X.

ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani kundër Izraelit si dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, krahas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë marrëveshje të qëndrueshme. Që nga 13 prilli, ShBA-ja ka zbatuar bllokadë detare që e synon trafikun detar iranian në ngushticë.