Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, e para e një presidenti shqiptar në këtë vend.
Begaj u prit nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin diskutoi për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e investimeve dhe bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë takimit, Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudha të vështira, duke përmendur luftën në Kosovë, tërmetin e vitit 2019 dhe sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë në vitin 2022.
Dy presidentët shprehën vullnetin për të thelluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të shfrytëzuar potencialin për zgjerimin e tij në sektorë strategjikë.
Një nga temat kryesore të diskutimeve ishte bashkëpunimi ekonomik. Begaj bëri thirrje për rritjen e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri, veçanërisht në infrastrukturë, energji, inovacion dhe turizëm.
Ai vlerësoi gjithashtu hapjen e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë, duke shtuar se ky hap pritet t’i forcojë më tej lidhjet politike, ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin shumëpalësh dhe zhvillimet ndërkombëtare, me fokus te paqja, siguria dhe zhvillimi.
Gjatë vizitës, Begaj zhvilloi takime edhe me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe me Zëvendëspresidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan.


























