Kompania ajrore kombëtare izraelite "El Al" ka njoftuar se ka anuluar fluturimet e planifikuara për të sjellë izraelitët në shtëpi nga Dubai, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) tërhoqën lejet e uljes për kompanitë ajrore izraelite.
“Për shkak të anulimit të miratimit për kompanitë izraelite për të ateruar në Dubai, siç është raportuar nga autoritetet në Izrael, jemi të detyruar të anulojmë, në këtë fazë, fluturimet tona të shpëtimit për të premten, 2 tetor”, tha kompania ajrore në rrjetet sociale.
"El Al" tha se mbetet plotësisht e gatshme të kryejë fluturime çarter drejt Dubait për të sjellë në shtëpi qytetarët izraelitë sapo të merret miratimi zyrtar. Kompania tha se fluturimet e planifikuara për të dielën, të hënën, të mërkurën dhe të enjten e ardhshme mbeten në program, por janë tërësisht të rezervuara.
"El Al" nuk shpjegoi pse ishin tërhequr lejet e uljes, ndërsa autoritetet e EBA-së nuk dhanë menjëherë ndonjë sqarim zyrtar. Transmetuesi izraelit "Channel 7" raportoi se njoftimi erdhi pas një vendimi të minutës së fundit nga EBA-ja për të tërhequr lejet e uljes për fluturimet e evakuimit.
Kompani ajrore izraelite po përgatiteshin për fluturime të posaçme për kthimin e izraelitëve të bllokuar, pasi flydubai pezulloi shërbimet pas një incidenti të mërkurën në një fluturim nga Dubai drejt Tel-Avivit. Autoritetet izraelite thanë se gjatë incidentit, bashkë-piloti i "Flydubai"-t goditi me thikë kapitenin e avionit dhe tentoi ta rrëzonte avionin, përpara se pasagjerët dhe ekuipazhi ta neutralizonin.
Avioni kreu një ulje emergjente në qytetin saudit Tabuk. Autoritetet e EBA-së urdhëruan një hetim për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e incidentit. "Flydubai" bëri thirrje që të shmangen spekulimet. Udhëtimet ajrore mes Izraelit dhe EBA-së janë ndërprerë gjatë muajve të fundit për shkak të sulmeve izraelite ndaj Iranit.
Izraeli dhe EBA-ja vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 2020, në kuadër të një marrëveshjeje normalizimi të ndërmjetësuar nga ShBA-ja.




















