Në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup u organizua ceremonia e diplomimit për gjeneratën e parë të Fakultetit të Mjekësisë Dentare.
Në ceremoninë e mbajtur në kampusin e IBU-së morën pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zëvendësshefi i Misionit dhe sekretari i parë i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Anil Kayalar, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të IBU-së, pedagogë, studentë dhe familjarë të tyre.
Sali, në fjalën e tij, përgëzoi studentët e diplomuar.
Duke theksuar se pas çdo diplome të dhënë sot qëndrojnë vite pune, trajnimi praktik dhe këmbënguljeje, Sali tha: “Ndërsa njohuritë tuaja do t’i japin drejtim trajtimit, durimi dhe përkushtimi juaj do t’i ndihmojnë pacientët të ndihen të sigurt”.
Kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Bilal Sucubasi, tha se me diplomimin e gjeneratës së parë të Fakultetit të Mjekësisë Dentare, kanë hapur një faqe të re në historinë e universitetit.
“Sot, të dashur të rinj, pavarësisht se ku do të jeni në botë pas shumë vitesh, kjo ditë do të mbetet shumë e veçantë për ju. Sepse ju do të kujtoheni gjithmonë si gjenerata e parë e diplomuar e këtij fakulteti”, tha Sucubasi.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lutfi Sunar, e cilësoi si një rrugëtim të gjatë Fakultetin e Mjekësisë Dentare, i cili u themelua para gjashtë vitesh, duke thënë: “Themelimi dhe procesi i institucionalizimit të Fakultetit të Mjekësisë Dentare na ka mësuar shumë”.
Emir Eminovic, studenti më i suksesshëm i gjeneratës së vitit 2026 të Fakultetit të Mjekësisë Dentare, falënderoi profesorët dhe asistentët që u kanë ofruar çdo lloj ndihme gjatë jetës së tyre akademike.



















